Tiranë: Platforma online kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi

Qeveria Rama çeli sot platformën online kundër korrupsionit, si një përpjekje të re ku çdo qytetar mund të denoncojë në mënyrë anonime kërkesat e administratës për rryshfet në çdo sektor ku i ndesh konkretisht.Platforma stopkorrupsionit.al garanton mbrojtje të plotë për denoncuesit e korrupsionit në administratën doganore, tatimore, hipotekore dhe arsimore, si dhe në çdo fushë tjetër, si policia, mjekësia, ndërsa 4 zyra shtetërore punojnë paralel që ta zgjidhin çështjen korruptive brenda 30 ditësh.

Kryeministri Rama deklaroi se qytetarët mund ta denoncojnë korrupsionin në çdo kohë me telefonat celularë që mbajnë në duar, dhe ta kthejnë perceptimin e tyre negativ në një veprim konkret kundër zyrtarëve që u kërkojnë rryshfet.

Shqipëria po kritikohet prej disa vitesh për mosndëshkimin e korrupsionit në administratën e lartë nga gjykatat. Një seri vëzhgimesh nxorrën në pah se edhe vetë gjykatat kanë një nivel të lartë korrupsioni, ndaj bien pre e rryshfeteve dhe presioneve politike.

Shumica socialiste u angazhua për një reformë në sistemin e drejtësisë. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori tha sot se reforma në drejtësi është e domosdoshme.

Reforma në drejtësi dhe antikorrupsion është gjithashtu edhe një temë kryesore e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Europian, i cili i paraqiti Tiranës 68 rekomandime për të përmirësuar ligjet dhe masat kundër korrupsionit.

Rekomandimet kërkuan ndryshimin e ligjeve mbi konfliktin e interesit, deklarimin e pasurive, si dhe dënimin gjyqësor të korrupsionit. Zbatimi i tyre kërkon sidomos bashkëpunimin e gjithë institucioneve për të dënuar vërtet ata që vjedhin financat publike apo që kërkojnë rryshfete për shërbime publike. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>