Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në këto dy vite “fëmijët shqiptarë mësojnë gjuhën amë me të njëjtën abetare, duke njehsuam sistemin parauniversitar, kurrikulat tona, duke hedhur themelet e një arsimi mbarëkombëtar”. “Kemi nxitur bashkëpunimin universitar në fushën e kërkimit shkencor”, tha ai.
Më pas, duke folur në hapje të mbledhjes së dy qeverive të Shqipërisë e Kosovës, ai shtoi se Shqipëria e Kosova kanë krijuar edhe një treg të përbashkët bujqësor, duke njehsuar standardet dhe duke përshtatur metodat e legjislacioni në fushën e kontrollit ushqimor.
“Në Prizren në 2014 qeveritë tona nisën një rrugëtim që tashmë ka krijuar një hapësirë të re bashkëpunimi. Kemi transformuar së bashku kufirin, nga një hendek i madh ndarës, në një urë të re bashkëpunimi që forcohet dita ditës. Nga ky bashkëpunim lindi ideja për krijimin e hapësirës së përbashkët energjetike mes dy vendeve. Brenda pak javëve ne do të jemi së bashku në Tiranë për të vënë në punë linjën e interkonjeksionit që lidh përfundimisht autostradën energjetike mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo është një fazë e re për këtë bashkëpunim është projekt i përbashkët lidhja e Kosovës me gazsjellësin TAP”, vijoi Rama.
“Në këtë hark kohor kemi bërë edhe marrëveshje të tjera, atë për mjedisin, si dhe policinë. Tani nuk e shoh më me zili policinë e Kosovës, pasi edhe ne arritëm që të jemi të mirë sa ata”, shtoi Rama.
Sipas kryeministrit, janë bërë marrëveshje edhe në tregun e ekonomisë, “pasi duam që të integrojmë ekonominë e vendeve tona”. “Shqipëria e Kosova do të rrisin më tej ekonominë, duke krijuar organizata moderne, sipas kushteve të Bashkimit Europian”, shtoi kreu i qeverisë shqiptare. Sipas Ramës, arritje ka edhe në fushën e turizmit, ku Liqeni i Fierzës u fut në listën e zonave të mbrojtura.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi ndër të tjera se Europa u çlirua nga turpi me vendimin për liberalizimin e vizave, ndërsa theksoi se ky ishte një lajm i mirë për gjithë shqiptarët. Sipas Ramës, takimi i tretë i qeverive tona sot vjen si një ushtrim i zakonshëm pune për të programuar vitin pasues. “Është moment paqe për të shkuar më tutje, por ka ende punë për t’u bërë. Për të përshpejtuar të gjitha heqjen e barrierave dhe për të mbushur të gjitha ambiciet tona të përbashkëta. Rezultatet e punës deri tani janë inkurajuese”, vijoi kryeministri.
“Shqipëria është avokati më i fuqishëm i Kosovës në Aleancën e NATO-s. Na duhet të jemi të vetëdijshëm që të jemi bashkë që t’i nxisim aleatët dhe për nevojën e integrimit në BE, si një domosdoshmëri për një Europë më të sigurt. Për shumë vite me radhë ne kemi bashkuar zërin tonë me tuajin për padrejtësinë e madhe të izolimit të Kosovës, si vendi i fundit evropian që kishte nevojë për viza për të udhëtuar në kontinentit. Lajmi për çlirimin e vizave na ka çliruar të gjithëve, por dhe Evropën nga një turp i madh. Era e re e marrëdhënieve e Shqipërisë me Serbinë i shërben dhe gjeneratës tjetër për të jetuar në paqe dhe në bashkëpunim. Nga ana tjetër, Shqipëria e mbështet pa asnjë ngurrim avancimin e dialogut të Kosovës me Serbinë, duke na imponuar një koordinim të ngushtë mes nesh. Ne e kemi inkurajuar dhe do ta inkurajojmë gjithmonë lidershipin tuaj për të shkuar para me kurajo në këtë dialog. Ky dialog e lartëson Kosovën si një vend i paqes dhe harmonisë”, tha Rama.
Bushati: Do të kujdesemi që Serbia të mos jetë pengesë për anëtarësimet e Kosovës
Minstri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e dy qeverive që zhvillohet në Prishtinë, theksoi se Shqipëria do të kujdeset që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale. “Në rrafshin diplomatik kemi dashur që kjo tavolinë të jetë shembull në rajon. Anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat rajonale është sukses i joni i përbashkët, sepse besojmë se parimi gjithëpërfshirës është rajonal. Ne do të inkurajojmë dhe do të ndjekim nga afër dialogun e Serbisë me Kosovën dhe do të angazhohemi që ajo mos të pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale”, tha Bushati.
Më pas fjalën e mori ministri i sapozgjedhur i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili përmendi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe shprehu mirënjohje ndaj Shqipërisë për përkrahjen që i ka dhënë gjatë kësaj periudhe Kosovës.
Në një ndërhyrje të tij, kryeministri Rama kërkoi nga të ministrat Bushati dhe Hoxhaj të punojnë për hapjen e konsullatave dhe ambasadave të përbashkëta. Rama tha se do të hapet në Mynih një konsullatë e përbashkët, pas asaj të Milanos, por duhet që të dy ministrat të bashkëpunojnë më tepër për zgjerimin e rrjetit ë përbashkët të selive diplomatike.
Haxhinasto: Do të rrisim standardet e qarkullimit rrugor
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, u shpreh se kjo mbledhje tregon kushtet e shkëlqyera të bashkëpunimit mes dy vendeve. Në fjalën e tij, ai tha se “bashkëpunimi mes dy ministrive do të rrisë standardin e sigurisë në transport”. “Mbetet një objektiv i vazhdueshëm për të rritur standardet në qarkullimin rrugor. Kemi si qëllim integrimin e shërbimeve në fushën e transportit. Ne kemi arritur progres në forumin e liberalizimit të tregut, heqjen e barrierave jo fizike”, tha Haxhinasto.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se, “platforma do të jetë në lehtësimin e tregtisë dhe të bërit biznes mes nesh e vendeve të tjera”. “Kryeministri Rama iu referua fondeve dhe ka mjaftueshëm që ne të ecim përpara”, nënvizoi ministri i Financave të Shqipërisë.
Ministrja e Inovacionit Milena Harito u shpreh se “një administratë publike moderne është garancia e qëndrueshmërisë së ligjeve tona”. Ajo shtoi se bashkëpunimi ka të bëjë me “motivimin e punonjësve, vlerësimin e performancës, sfidat për të gjithë punonjësit publik. Do të ofrojmë kurse të ndryshme për punonjësit, që të kemi sa më shumë arritje”.
Ndërsa në lidhje me bashkëpunimin ndërkufitar, zëvendëskryeministri kosovar, Baram Geci tha se kjo marrëveshje nuk ka kuptim vetëm si nocion gjeografik, por edhe integrimin tonë në Euopë. “Kjo marrëveshje është një promovim kulturor e social. Nxitja e ekonomisë dhe promovimi i trashëgimisë kulturore, është një parakusht kryesor për integrimin në BE”, tha ai.
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, shprehu urimet më të mira për rekomandimet e Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave. Ajo tha se “marrëveshjet mes Shqipërisë e Kosovës sjellin më afër njerëzit, kulturën dhe trashëgiminë e dy vendeve”.
Mustafa: Arritjet e Kosovës janë edhe falë ndihmës së Shqipërisë
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka hapur mbledhjen e tretë mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë. “Ndihem i gëzuar dhe iu uroj mirëseardhje vëllazërore ju z.Rama dhe delegacionit shqiptar. Dua që në fillim të uroj se takime të tilla në të ardhmen të jenë të zakonshme”, e nisi fjalën Mustafa.
Sipas kryeministrit kosovar, thellimi mes dy qeverive është në interes të popullit dhe duhet që të gjendet një gjuhë e përbashkët për të ecur përpara. “Falënderoj të gjithë për mbështetjen vëllazërore që na keni dhënë në çështjen kryesore, sidomos nga njohja e organizatave europiane. Me këtë rast dua edhe të inkurajoj edhe komunitetin serb, që të respektojnë ligjet e Kosovës, që është një parakusht për një Kosovë të barabartë për të gjithë. Po kurorëzojmë arritje të mëdha, si asocimi me Bashimin Europian. Kemi marrë rekomandimin për vizat, jemi pranuar në FIFA E UEFA”, tha Mustafa. Ai shtoi se, “jemi të vetyëdijshëm se kjo është edhe falë ndihmës së Shqipërisë. I përjetojmë si suksese të përbashkëta”.
Prishtinë, nis mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës
Ka nisur mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës në Prishtinë. Mbledhja u hap nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Më parë u zhvillua ceremonia e pritjes së kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa për kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ku u bë edhe ekzekutimi i Himneve Kombëtare.
(10:35) Mbledhja Kosovë-Shqipëri, delegacioni shqiptar mbërrin në Prishtinë
Delegacioni shqiptar sapo ka arritur në Prishtinë, ku do të zhvilloj mbledhjen e tretë të përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë.
(10:21) Sot, mbledhja Kosovë-Shqipëri
Prishtina do të presë sot kabinetin qeveritar të Shqipërisë në një mbledhje të përbashkët me qeverinë e Kosovës. Mësohet se takimi do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare, në orën 11:00.
Kjo është e treta mbledhje e dy qeverive shqiptare. Mbledhja e parë është zhvilluar në Prizren më 11 janar 2014, ndërsa mbledhja e dytë u zhvillua në Tiranë, më 23 mars 2015.
Bëhet e ditur se në mbledhjen e sotme qeveria kosovare dhe ajo shqiptare pritet të firmosin gjithsej 7 marrëveshje e ku përfshihen marrëveshjet doganore, ato për partneritet kufitar, për reformat në fushën e administratës publike, marrëveshjet për krijimin e qendrës së përbashkët trajnuese.
/Shekulli/