Deputetët socialistë në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi votuan sot nen për nen projektin e kësaj reforme, pasi përfaqësuesit e opozitës u larguan nga mbledhja.
Pjesa e mbetur e komisionit vazhdoi miratimin nen për nen dhe në parim të draftit të përgatitur, ndërsa mbledhja u ndoq nga afër prej ambasadorit amerikan Donald Lu dhe ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin.
Mbledhja e sotme e komisionit të reformës u zhvillua me dyer të mbyllura për mediat, dhe pas kërkesave të deputetëve të opozitës, deputetët e PS dhe LSI votuan të gjitha ndryshimet ligjore, përveç atyre që opozita nuk ka dhënë mirëkuptim.
Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, tha kur u largua nga mbledhja se e vetmja pikë që kërkon opozita është zbatimi i nenit 88 nga rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Deri tani ende nuk duken shenja për mirëkuptim mes palëve mbi pikën 88 të rekomandimeve të Venecias.
Vendosmëria e deputetëve demokratë në komisionin e reformës ishte vazhdim i të njëjtës këmbëngulje që shfaqi më herët kryetari i partisë demokratike, Lulzim Basha.
Pak kohë pasi komisioni parlamentar me antarët socialistë votoi projektin e reformimit të drejtësisë, kryeministri Edi Rama doli para mediave për një deklaratë shtypi së bashku me ministrin gjerman të punëve të jashtme Fran Valter Shteinmeier.
Reforma në sistemin e drejtësisë shqiptare po vlerësohet si mjaft e rëndësishme nga qytetarët shqiptarë dhe nga diplomatët ndërkombëtarë.
Krahas diplomatit amerikan Lu dhe asaj europiane Vlahutin, të cilët po ndërmjetësojnë në çdo hallkë të procesit, sot e vizitoi Tiranën Frank Valter Steinmeier, ministri i jashtëm gjerman, i cili u shpreh se ka ardhur pikërisht për reformën në drejtësi, e cila, sipas tij, duhet miratuar pa humbur shumë kohë.
Kryediplomati gjerman Shteinmeier ka ardhur në Tiranë për të shtuar trysninë ndaj forcave politike që të gjejnë mirëkuptimin mbi reformën në drejtësi.
Si diplomatët gjermanë, europianë dhe amerikanë theksojnë se miratimi i kësaj reforme ka rëndësi të veçantë për t’u shënuar si arritje në raportin e vjeshtës së Komisionit Europian për ecurinë e Shqipërisë.
Nëse një nga mangësitë në raport do të jetë reforma në drejtësi, atëherë procesi i anëtarësimit të saj në BE nuk do të ecë shpejt, ndaj të gjithë palët duhet të mendojnë për të ardhmen e vendit.
Debatet për sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen të ndershme”, – tha ministri i jashtëm gjerman.
Projekti i miratuar sot pritet të kalojë në institucione të tjera të parlamentit, ku mundësia e bisedimeve dhe dakordësimeve, sipas shumicës, ka mbetur e hapur. (voa)