Eksperti për Evropën Juglindore Norbert Mappes-Niediek mendon se megjithë turbulencat Kroacia do ta kapërcejë krizën pas shpërbërjes së qeverisë.
Qeveria kroate u rrëzua nga një votë mosbesimi dhe eksperti për Evropën Juglindore, Norbert Mappes-Niediek tha në intervistë me DW-në se kjo nuk e kishte habitur, sepse kur u krijua kjo qeveri, duhet që në fakt kushdo ta kishte të qartë se ajo nuk do të zgjaste gjatë. Partia ose më mirë lista zgjedhore MOST (Ura) partnere koalicioni e partisë konservatore HDZ, ishte krejtësisht e mbingarkuar me detyrën e saj për të qenë një kundërpeshë për HDZ. Sipas Mappes-Niediek MOST-i hyri në qeveri me mosbesim të madh dhe nuk qe në gjendje që ta shndërronte atë në një funksion të arsyeshëm kontrolli ndaj korrupsionit dhe ndaj HDZ-së.
Tonet patriotike kamuflazh për kleptokracinë
Kur Evropa e kritikonte Kroacinë se ajo po shndërrohet në një demokraci iliberale sipas modelit të Hungarisë filluan të shfaqen sërish tonet patriotike të HDZ-së dhe shpejt u bë e qartë se një gjë e tillë në Kroaci të paktën “është në fakt vetëm kamuflazh, vetëm zbukurim për një sistem pak a shumë kleptokratik, i cili ka zënë rrënjë në të gjitha nivelet e qarqeve dhe të provincave.” – thotë eksperti i Evropës Juglindore Norbert Mappes-Niediek.
Zgjedhjet mund të sjellin diçka të re
Norbert Mappes-Niediek mendon se HDZ-ja në zgjedhjet e reja nuk do të fitojë të njëjtën përqindje votash si në zgjedhjet e mëparshme, kur sundonin iluzione prej parrullave patriotike. HDZ është demaskuar tani për herë të dytë dhe për këtë pas zgjedhjeve duket se do të ketë një ndryshim në pushtet.
HDZ ka nevojë për një periudhë riorientimi që të bëhet një alternativë e arsyeshme për qeverisje. Sipas Norbert Mappes-Niediek ajo duhet të përballet me problemin e korrupsionit në radhët e saj dhe të përpiqet të ofrojë alternativa të besueshme dhe jo të ndezë ndjenjat e njerëzve. Në qoftë se pas fundit të kryetarit të partisë Karamarko në HDZ do të triumfojnë forcat e arsyeshme, atëhere kjo parti mund të reformohet përsëri dhe të rikthehet në qeveri, thotë Mappes-Niediek, që shton se për këtë HDZ ka nevojë sigurisht edhe për një periudhë legjislature.
Norbert Mappes-Niediek është gazetar, autor dhe ekspert i Evropës Juglindore