“Isa Mustafa, si një aparatçik i dëshmuar që është, qenka aktivizuar sërish”, kështu i është drejtuar kryeministrit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.
Ymeri përmes një postimi në Facebook ka thënë se Mustafa nuk po flet për ushtrinë e vendit që po e bllokojnë partnerët e tij të koalicionit në Listën Serbe, as për projektin kolonizues të Serbisë “Lugina e Diellit” që po vazhdon.
“Kudo e kurdo që duhet mbrojtur shtetin Isa mungon. Kudo e kurdo që dëmtohet shteti e Republika Isa prinë”, ka shkruar Ymeri.
Postimi i plotë:
Isa Mustafa, si një aparatçik i dëshmuar që është, qenka aktivizuar sërish. Sigurisht, nuk ka marrë mundin të flasë për ushtrinë e vendit që po e bllokojnë partnerët e tij të koalicionit në Listën Serbe, as për projektin kolonizues të Serbisë “Lugina e Diellit” që po vazhdon. Kudo e kurdo që duhet mbrojtur shtetin Isa mungon. Kudo e kurdo që dëmtohet shteti e Republika Isa prinë.
Isa, që i thotë vetes kryeministër, po pret nga qytetarët t’ia tregojnë kufirin. T’ia dëshmojnë atë me tapi. Por lumenjtë nuk janë pronë private, pastaj rruga e asfaltuar deri aty është shtruar nga buxheti publik yni. Pse paskemi shpenzuar para tonat që t’i shtrojmë rrugët e Malit të Zi?
Tek ne kanë ardhur qytetarët Isë, dhe na kanë treguar ku është kufiri, kanë folur edhe ekspertë nga partia jote të cilët s’ke kurajo t’i dëgjosh.
Verzionin aktual të marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi do ta luftojmë me çdo kusht. Ai kufi nuk do të jetë asnjëherë i pranueshëm për qytetarët e vendit. Këtë bën mirë ta dijë Isa Mustafa dhe miqtë e tij Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Këta që kërcënimet ndaj qytetarëve (herë me NATO e herë me liberalizim të vizave), e nënshtrimin e plotë ndaj kujtdo tjetër, i kanë bërë modus të rregullt të politikbërjes. (telegraf)