Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland, takime gjatë pasdites me kryetarin e opozitës Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama. Në përfundim pritet një deklaratë
Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland nisi sot në Tiranë një mision për gjetjen e një zgjidhjeje mes shumicës dhe opozitës që do të çonte në një miratim me konsensus në parlament të Reformës në Drejtësi. Ndërmjetësimi i saj shihet me rëndësi kritike për fatet e një prej reformave më të rëndësishme të ndërmarrë në vend, e cila lidhet ngushtë dhe me hapat e ardhshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit europian të vendit.
Zonja Nuland u prit fillimisht nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Pas bisedimeve me shefin e diplomacisë shqiptare zyrtarja e lartë amerikane do të hyjë në zemër të çështjes kryesore, duke takuar drejtuesin e opozitës Lulzim Basha. Takimi me zotin Basha pritet me një interes të veçantë. Opozita ka patur kundërshtime të shumta për procesin e Reformës në Drejtësi. Së fundi, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu nuk i ka kursyer deklarimet e drejtpërdrejta për qëndrimet e opozitës. Pak pas dështimit të takimit mes kryeministrit Edi Rama dhe zotit Basha për Reformën, ambasada amerikane u shpreh se “opozita nuk ishte treguar fleksibël”, ndërsa pak kohë më pas duke folur për tre zgjidhje kompromisi të ofruara nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi europian ai theksoi se “mazhoranca i ka pranuar këto propozime. Zoti Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar”.
Eshtë në këtë kontekst që edhe shumica e majtë pret që zgjidhja e mundshme të vijë pikërisht nga një ndërhyrje e zonjës Nuland. Në një intervistë të dhënë dje për Top Channel-in nga Varshava, ku u zhvillua takimi i nivelit të Lartë të krerëve të shteteve të Natos, kryeministri Rama la të kuptohej se me qeverinë nuk kishte tema të hapura lidhur me Reformën. “Nuk bëhet fjalë për të na kërkuar gjë neve. Neve nuk kanë çfarë të na kërkojnë sepse ne nuk jemi një palë e ndarë nga partnerët tanë” deklaroi zoti Rama, sipas të cilit vizita e sotme e zonjës Nuland “është një tjetër sinjal shumë i rëndësishëm për shqiptarët se çfarë rëndësie të madhe i kushton Shtëpia e Bardhë reformës në drejtësi dhe se çfarë fitojmë ose se çfarë humbim duke e votuar ose duke mos e votuar reformën në drejtësi. Jo vetëm si ambicie për të përmbysur një sistem të kalbur dhe për të ngritur një sistem drejtësie që shqiptarët e meritojnë, por edhe në kuptimin se çfarë do të jetë nesër Shqipëria në sytë e Shteteve të Bashkuara, nëse nuk do të jetë në gjendje të kalojë reformën në drejtësi”.
Pas një kalvari të gjatë, ndryshimet kushtetuese të parashikuara nga Reforma në Drejtësi, pranohen publikisht nga të gjitha palët, me përjashtim të formulës për emërimin e disa anëtarëve të institucioneve të Drejtësisë që do të duhet të zgjidhen nga parlamenti. Kjo çështje, pavarësisht propozimeve të ndryshme që janë bërë, po mban pezull proçesin. Opozita e cila hoqi dorë nga këmbëngulja për formulën e “vendeve të rezervuara”, shpjegoi të premten thelbin e propozimit të saj të ri, i cili parashikon përfshirjen e Gjykatës Kushtetuese në fazën e përzgjedhjes së kandidaturave për komisionin e Verifikimit, dhe një komision të posaçëm parlamentar me numër të barabartë mes palëve që përmes një sistemi elektronik voton emrat që më pas i nënshtrohen votimit në sallë me dy të tretat.
Por ky propozim u hodh poshtë nga socialistët. Kryeministri Edi Rama deklaroi se propozimi i demokratëve “nuk ka asgjë të re”. Sipas tij “në propozimin e ri, Partia Demokratike ka kaluar nga “vendet e rezervuara” tek “vendet e blinduara”, dhe jo vetëm kaq, po ky propozim anashkalon krejtësisht mekanizmin e monitoruesve ndërkombëtarë që për ne është kyç në procesin e skanimit”. Më herët edhe demokratët rrëzuan një propozim të socialistëve, i cili sipas kryetarit Basha “nuk është i ri, është propozim i rrëzuar nga opozita në 17 shkurt me shkrim dhe gjatë takimit tim të 6 qershorit në mënyrë të argumentuar. Sepse është një metodë me potencial të lartë korruptimi, pa transparencë dhe tepër i ndërlikuar për kushtet dhe për proceset për të cilat propozohet”.
Qëndrimet e palëve duket se nuk lënë shumë hapësira shprese, ndërsa edhe koha në dispozicion po ngushtohet. Parlamenti do të duhet të votojë Refromën më 21 korrik. Pak ditë më parë në një letër drejtuar deputetëve shqiptarë, ambasadori amerikan Donald Lu theksonte se “ka ende kohë që udhëheqësit politik të gjejnë një kompromis që të mund të mbështetet si nga opozita, ashtu dhe shumica. Duhet ta mbështesim të gjithë kërkimin e kompromisit. Megjithatë – nënvizonte ai – nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakort për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni Reformën”, shkruante ambasadori amerikan, ndërsa që në fillim të letrës theksonte rëndësinë e Reformës edhe për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë aleati juaj strategjik në mbrojtje të sovranitetit të Shqipërisë dhe të demokracisë shqiptare. Sot, korrupsioni dhe ndikimi politik në sistemin tuaj të drejtësisë kërcënojnë shëndetin e shoqërisë tuaj dhe dobësojnë aleancën tonë”, nënvizonte ambasadori Lu duke theksuar më pas se “si aleat i NATO-s, është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që Shqipëria të mbetet një demokraci e fortë dhe e sigurtë”. (voa)