Njohësit e çështjeve ndërkombëtare vlerësojnë se reagimi i Moskës Zyrtare rreth rastit ‘Puç’, buron nga kërcënimi për një skenar ukrainas në Maqedoni. Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Lubomir Fërçovski vlerëson se Moska edhe një herë dëshmoi afërsinë me pushtetin aktual, dhe përmes një deklarate konfuze e pranon pretendimin e qeverisë për grusht-shtet nga opozita. “Jo vetëm që janë me qëndrim ‘pro’ qeverisë por ata për shkak të interesave të tyre dhe përvojës së tyre, tani as nuk e vënë në pikëpyetje se ka ndodhur grusht shteti por tani angazhohen se si të ndalojnë grusht shtete në të ardhmen, çfarë konfuzioni, çfarë dezorientimi se çfarë ndodh në të vërtetë..mendoj se ata do të turpërohen nga kjo deklaratë pas publikimit të informatave, të cilat flasin për korrupsion dhe shpërdorime të pushtetit”, tha Lubomir Fërçkovski, professor.
Por sipas ish ambasadorit të Maqedonisë në Moskë Risto Nikoski, Rusia me të drejtë shpreh shqetësim për një skenar ukrainas në Maqedoni.
“Mendoj se arsyeja e reagimit lidhet me situatën e cila ndodhi në Ukrainë një vit më parë. Të gjithë e dimë se atje u realizua një ‘puç’ klasik, ku me forcë dhe me mbështetje të hapur nga jashtë u ndërrua qeveria legjitime ukrainase dhe e pamë se çfarë ndodhi por edhe mund të paragjykojmë se çfarë mund të ndodh tjetër në Ukrainë. Mendoj se kjo është arsyeja e palës ruse që të tërheq vërejtjen se grusht shtetet nuk çojnë askund përkundrazi mund të sjellin luftëra, konflikte, kriza të reja të cilat nuk i duhen Evropës”, u shpreh Risto Nikovski, ish ambasador i Maqedonisë në Moskë.
Nikovski madje vlerëson se shqetësimi rus edhe për marrëdhëniet ndëretnike lidhet me përpjekjet sipas tij të SHBA-së për të destabilizuar vendin.
“Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni veçanërisht pas vitit 2001, luftës që ndodhi për shkak të shkatërrimit të shtetit dhe e cila ishte direkt e menaxhuar nga SHBA-të, krijon tek ata një frikë se ato shfrytëzohen për destabilizimin e brendshëm të Maqedonisë, se ata janë faktori me të cilën luan një fuqi kryesore ndërkombëtare, gjë që vërtetohet me shembullin e fundit me presidentin konsensual që përbën cenim të rendit kushtetues të Maqedonisë”, tha Risto Nikovski, ish ambasador i Maqedonisë në Moskë.
Por Fërçkovski thekson se shqetësimi për cenim të marrëdhënieve ndëretnike nuk qëndron pasi Kushtetuta ofron zgjidhje për të dal nga kriza politike.
“Nuk e kam të qartë nëse mendojnë se kjo qeveri për shkak të kompremtetimit do të tërhiqet apo jap dorëheqje dhe si rrjedhojë do të përkeqësohen marrëdhëniet ndëretnike..jo, përkundrazi ekzistojnë mundësi që ofron kushtetuta për zgjidhjen e situatës, përmes qeverisë së ekspertëve, zgjedhje të reja..ka mënyra për të dal nga kriza..kjo është problem vetëm për pushtetarët të cilët me forcë qëndrojnë në pushtet dhe përpiqen të fsheh keqpërdorimet e tyre”, deklaroi Lubomir Fërçkovski, professor.
Ministria e Jashtme ruse një ditë më parë në reagimin për zhvillimet në vend, nënvizonte nevojën për hetim thelbësor të përpjekjes për grusht shtet, duke tërhequr vërejtjen edhe për rrezikun e ashpërsimit të tensioneve ndëretnike në vend si pasojë e krizës politike.
Semra Jakupi