Hulumtimet e reja nxjerrin se të ndenjurit ulur 8 orë në ditë mund të rrisë me 60% rrezikun e një vdekjeje të parakohshme. Por shkencëtarët thonë se thjesht një shëtitje prej një ore mund të ndryshojë dëmin e të ndënjurit ulur për periudha të gjata. Sipas tyre, njerëzit që merren me aktivitete fizike me “intensitet të moderuar,” rreth 60-75 minuta çdo ditë, arrijnë t’i korrigjojnë rreziqet e të ndenjurit ulur gjatë.
Një kurs boksi mbahet gjatë orëve të drekës nën hijet e Parkut Olimpik të Londrës.
Dikush që e kalon gjithë ditën ulur, mund të ishte mirë të merrte pjesë në kurse si ai.
Por nëse dikujt nuk i pëlqejnë ushtrimet e vështira, mund t’i zëvendësojë ato me një shëtitje një orëshe.
Shkencëtarët që kanë analizuar të dhënat nga më shumë se një milion njerëz mësuan se duhen rreth 60-75 minuta aktivitet fizik me “intensitet të moderuar” për të ndrequr dëmin e shkaktuar nga të ndenjurit ulur për të paktën 8 orë në ditë.
Ata mësuan se mosbërja e ushtrimeve fizike dhe të ndenjurit ulur gjithë ditën janë po aq të rrezikshme sa pirja e duhanit ose të qenurit mbipeshë.
Katër vjet pas Lojërave Olimpike të Londrës, ekspertët e shëndetit edhe njëherë po u bëjnë thirrje njerëzve për më shumë ushtrime fizike.
Peter Tudor punon në Parkun Olimpik “Queen Elizabeth”:
“Ngjarje të mëdha sportive i frymëzojnë njerëzit të merren më shumë me sport. Por kjo mund të zgjasë vetëm për një kohë të shkurtër. Është e rëndësishme që ne të shfrytëzojmë rastin dhe të inkurajojmë njerëzit që të vazhdojnë me një jetë aktive.”
Ulf Ekelund, i universitetit “Shkolla Norvegjeze për Shkencat Sportive” është një nga autorët e studimit:
“Aktiviteti fizik mund të përshkruhet si një pilulë magjike sepse mund të parandalojë gati të gjitha sëmundjet jo-ngjitëse. Nëse rri ulur për më shumë se 8 orë në ditë, do të ishte mirë të bënit ushtrime fizike për më shumë se gjysëm ore në ditë, ose 150 minuta në javë, që është koha e rekomanduar”.
Hulumtuesit thonë se të ndenjurit ulur për kohë të gjata rrit rrezikun e problemeve shëndetsore, duke përfshirë diabetin dhe sëmundjet e zemrës, sepse kjo rrit nivelet e insulinës dhe mund të ngadalësojë metabolizmin. (voa)