Maqedoni, përmbytjet shkaktojnë viktima të shumta dhe dëme

Stuhi tepër të fuqishme kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 17 personave në Shkup dhe rrethinat e tij.​

Të paktën gjashtë njerëz janë zhdukur, rreth 60 të tjerë janë shtruar në spital dhe rreth 1,000 janë evakuuar.

Ministri i Shëndetësisë Nikolla Todorov tha se numri i të vdekurve mund të rritet dhe qeveria ka në plan të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për dy javë në zonat më të prekura.

Shirat e rrëmbyer të shoqëruar nga erëra me shpejtësi prej më shumë se 70 kilometrash në orë shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje toke. Meterologët thanë se shiu që ra brenda dy orësh ia kaloi sasisë mesatare të rreshjeve gjatë gjithë gushtit. U regjistruan gjithsej 800 goditje rrufe.

Qindra shtëpi dhe automjete janë shkatërruar nga përmbytjet. Disa rrugë janë ende të bllokuara dhe disa zona kanë mbetur pa energji elektrike.

Kryebashkiaku Koce Trajanovski e përshkroi dëmin nga stuhitë si “më të rëndin që Shkupi ka parë ndonjëherë.”

Zonat e goditura më rëndë ishin fshatrat pranë kryeqytetit, Haraçinë, Singelic, Smilkovci dhe Stajkovci.

Policia dhe helikopterë të ushtrisë kanë bërë evakuimin e njerëzve nga shtëpitë dhe kanë vazhduar përpjekjet për kërkimin e personave të zhdukur.

Metereologët parashikojnë më shumë shi dhe erëra të fuqishme.

Komisioneri i zgjerimit të Bashkimit Evropian Johannes Hahn tha në Twitter se Bashkimi Evropian është i gatshëm për të ndihmuar Maqedoninë, e cila është kandidate për anëtarësim në bllokun 28 anëtarësh.

Hera e fundit që Shkupi përjetoi përmbytje shkatërrimtare ishte viti 1962, një vit para se një tërmet i fuqishëm ta shkatërronte pothuajse krejt qytetin.​ (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>