Verifikimi i listës zgjedhore, larg dinamikës së paraparë

zgjedhje mkNë Maqedoni, verifikimi i të dhënave të votuesve të dyshimtë po zhvillohet me një dinamikë shumë të ulët, ndërkohë që deri në mbylljen e këtij procesin kanë mbetur edhe katër ditë.

Gjatë periudhës 20 ditore, të dhënat personale duhet t’i verifikojnë rreth 40 mijë qytetarë, por deri të martën, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ky numër ka arritur në rreth 5 mijë e 500 persona, shifër kjo shumë e ulët në krahasim me pritjet e institucioneve tjera të përfshirë në sensibilizimin e opinionit për nevojën e verifikimit të të dhënave.

KSHZ-ja, gjatë kësaj periudhe ka ndërmarrë një sërë masash për informimin e qytetarëve, duke hapur edhe zyra të posaçme, pa përjashtuar edhe mundësinë e paraqitjes përmes një adrese të posaçme elektronike. Aktivitete kanë ndërmarrë edhe partitë, por interesimi i personave që duhet të verifikojnë të dhënat e tyre është shumë i ulët. Personat që nuk do t’i nënshtrohen verifikimit do të humbin të drejtën e votës, në bazë të marrëveshjes së arritur mes partive për kapërcimin e krizës politike.

“Aspak nuk jam i kënaqur me rrjedhën e këtij procesi, pasi bëhet fjalë për një numër shumë të vogël të personave të paraqitur. Është e qartë se vlerësimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe të pushtetit në përgjithësi, janë treguar tërësisht të gabuara. T’i merret dikujt e drejta e votës së garantuar me kushtetutë përmes një procedure jo mirë të hartuar apo pa një verifikim të detajuar të gjendjes faktike, vlerësoj se paraqet shkelje flagrante të kushtetutës”, thotë Temelko Ristevski, profesor i sistemit juridik në Universitetin Fon të Shkupit.

Ai i bën thirrje KSHZ-së që të ndërmarrë masa plotësuese që këtyre personave të mos i hiqet e drejta e votës, por që ky numër të jetë sa më i vogël.

Përveç rreth 40 mijë personave të dyshimtë, KSHZ-ja në bazë të marrëveshjes mes partive ka hartuar edhe një listë tjetër me rreth 170 mijë qytetarë që besohet se jetojnë jashtë vendit, por e drejtat e tyre e votës nuk kontestohet. Ata janë vendosur në një listë të posaçme për të evituar manipulimet e mundshme zgjedhore.

Pas mbylljes së procesit të listës zgjedhore, mbetet edhe pika tjetër nga marrëveshja politike, kompletimi i komisionit ad-hok përmonitorimin e punës së mediave në periudhën 100 ditë para zgjedhjeve. Ky komisioni do të ketë pesë anëtarë, katër prej tyre janë propozuar nga partitë, dy nga pozita dhe dy nga opozita, ndërsa anëtari i pestë do të zgjidhen nga katër anëtarët e tjerë.

Paraprakisht, Kuvendi ka miratuar edhe ndryshimet në ligjin për qeverinë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe disa ndryshime në ligjin e mediave.

Të gjitha këto procese do të verifikohen në një takim të liderëve të caktuar më 31 gusht. Në rast të vlerësimit pozitiv, atëherë nuk përjashtohet mundësia e caktimit të datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Si datë e mundshme përmendet 11 dhjetori. (REL)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>