Panairi i paisjeve elektronike në Berlin

panairi pajisje elektronikeNdërsa afrohet hapja e panairit evropian në Berlin për paisjet elektronike të konsumit, pritet që telefonat inteligjentë të vazhdojnë të zënë vendin kryesor. Ekspertët thonë se nuk pritet ndonjë hap gjigand teknologjik dhe se telefonat inteligjentë mund të kenë arritur kulmin e novacioneve.

Panairi i përvitshëm teknologjik në Berlin është më i madhi në Evropë. Ndërsa hap dyert me 2 shtator, pritet që mbi 240 mijë njerëz të vizitojnë panairin dhe prodhimet e reja të mbi 1,600 kompanive pjesmarrëse.

Kompania kineze Huawei pritet të sjellë në panair variantin e fundit të telefonit inteligjent. Konkurenca do të jetë e fortë pasi edhe dy kompani të tjera kineze Lenovo dhe ZTE do të ekspozojnë paisjet e tyre inteligjente.

Sipas ekspertëve, kompanitë do të ofrojnë ekrane, procesorë dhe kamera më të mira, por jo novacione dramatike që mund të ndikojnë tek tregu i telefonave inteligjentë. Amir Tammanai është redaktor i faqes elektronike GIGA Android.

“Mendoj se kemi arritur kulmin e novacioneve sepse nuk ka asgjë të re që mund ofrohet. …. Realiteti Virtual mund të kërkojë telefona më të fuqishëm, gjë që mund të realizohet, ekranet mund të bëhen më të mëdhenj dhe të përmirësohet rezolucioni, por arrin një pikë, që sado i lartë të jetë rezolucioni ai nuk të jep më ndonjë avantazh”.

Vitet e fundit është rritur kërkesa për telefonat inteligjentë me çmime mesatare. Kompanitë kineze si Huawei, Xiaomi dhe ZTE janë bërë kërcënim për kompanitë të vjetra si Samsung me paisje më pak të kushtueshme. Tregu global i telefonave inteligjentë po ngadalësohet dhe sipas kompanisë IDC, shitjet do të rriten me 3.1 për qind gjatë këtij viti ose 7 për qind më pak se një vit më parë.

iPhoni i parë doli në treg në vitin 2007 ndërsa një vit më pas Samsung do të sillte në treg rivalin e saj. Në vitet që pasuan pati hapa galopantë teknologjikë tek industria e telefonave inteligjentë. Shu On Kwok, redaktori i faqes teknologjike Android Pit, thotë se ngadalësimi i novacioneve teknologjike është një hap natyral që ka ndodhur edhe tek teknologji të tjera ndërsa tregjet stabilizohen.

“Ndoshta jemi llastuar në të kaluarën me evolucionin teknologjik të telefonave inteligjentë. Kështu ka ndodhur edhe me kompjuterat përsonal në të shkuarën. Ndërsa është zvogëluar madhësia, janë shtuar kapacitetet dhe aftësitë. Edhe telefonat inteligjentë, vinë me aftësi të reja por jo aq domethënës.”

Përparimet teknologjike që nga telefonat inteligjentë, makinat, llambat apo frigoriferët inteligjentë, kanë nxjerrë në pah rëndësinë e internetit si nyja kryesore lidhëse në jetën dhe punën e përditshme dhe përdorimi i telefonit inteligjent si qendra nga ku jepen të gjitha komandat.

“Telefoni inteligjent është truri për gjërat e tjera. Mund të kontrollosh dronët, mund të shikosh lojëra apo filma virtualë. Të gjitha teknologjitë që sillen rreth telefonave inteligjentë po bëhen edhe më të rëndësishme. E ardhmja është kur gjithçka të jetë e ndërlidhur”, thotë Shu On Kwok, redaktori i faqes teknologjike Android Pit.

Samsung vazhdon të jetë gjigandi i tregut të telefonave inteligjentë me 22.4 për qind i ndjekur nga Apple me 11.8 për qind dhe Huawei me 9.4 për qind në tremujorin e dytë të vitit sipas kompanisë IDC. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>