Nga mesi i viteve 1990, Aygul ka vijuar mësimet në njërën nga qindra “shkolla të Gylenit” që janë hapur gjithandej Turqisë nga rrjeti i paregjistruar i Fetullah Gylen, një klerik turk që jeton në mërgim në SHBA që prej vitit 1999 dhe është në qendër të kundërthënieve për ekstradim.
Filloi rreth dy dekada pasi familja kurde Alevi e Aygulit, migroi në Ankara nga një fshat në rajonin lindor turk të Tunxhelit. Turqia juglindore dhe lindore është tradicionalisht shtëpi e shumicës së 8 deri 10 milionë Alevi, një degë e Islamit Shiit, dhe ka edhe Alevi turq edhe kurd.
Alevit kanë dallim nga sunitët dhe shiitët në shumë mënyra, përfshirë edhe atë të lutjeve. Ata nuk luten pesë herë në ditë. Ceremonitë shpirtërore të tyre janë të shoqëruara me muzikë dhe me këngë popullore.
Ata nuk shkojnë në xhami dhe as në pelegrinazhin e Haxhit, siç bëjnë shumica e myslimanëve. Gratë Alevi nuk mbulojnë kokat e tyre dhe krahët në vendet publike në mënyrë fundamentalist. Pirja e alkoolit nuk është e ndaluar në besimin Alevi.
Aygul – emri i së cilës u ndryshua për çështje të mbrojtjes së saj – është e lindur në kryeqytetin turk dhe është rritur si një lloj vajze urbane, që mban besimin Alevi të familjes por duke e adoptuar turqishten si gjuhë të parë.
Babai i saj është punësuar si rojtar, kujdestar për mirëmbajtje dhe pastrim të një ndërtese me shumë apartamente. Nëna e saj nuk punon, por herë pas here pastronte disa shtëpi për të shtuar buxhetin e familjes.
Babai i saj thotë se Ayguli u regjistrua në njërën nga shkollat e Gylenit kur ajo ishte 15 vjeçare. Sipas tij shkollat e Gylenit ishin të mira për të përgatitur nxënësit për kolegje, kishin mësues të shkëlqyeshëm dhe ishin të lira.
Gyleni, që në atë kohë ndodhej ende në Turqi kishte një rrjet të gjërë të shkollave, fondacioneve, bamirësisë dhe të mediave, duke numëruar mbase mijëra institucione me mijëra të punësuar.
Pas paraqitjes së parë në Turqi në vitet e 1970-ta, shkollat dhe universitetet e Gylenit u rritën brenda dekadash dhe u zgjeruan edhe jashtë kufijve në fillim të viteve 1980-ta.
Por, pas pak kohësh, prindërit e Aygulit panë ndryshimet në sjelljen e saj; mbulonte kokën me shaminë islamike, falej rregullisht, refuzonte të shtrëngonte duart me meshkujt. Nëna e saj frikësohej se vajzës “i ishte shpërlarë truri në shkollë dhe gjatë atyre orëve të stërzgjatura pas mësimit”
Babai i Aygulit thotë se e pëlqente shkollën e Gylenit “gjithnjë përderisa ajo i ofronte vajzës mësime të mira dhe të lirë dhe i siguronte hyrjen në universitet dhe më pastaj edhe një punë të mirë”.
Por, nëna e Aygul u rebelua pas dy vjetësh. Si pasojë, prindërit e saj e tërhoqën Aygulin nga shkolla e Gylenit dhe e dërguan atë në një shkollë publike dhe mësime shtesë pas shkollës për të marrë më shumë njohuri për shkencat dhe gjuhët e huaja dhe për të përgatitur provimet e universitetit.
Askush nuk mund të parashikonte asokohe se pas dy dekadash në qershor të vitit 2016, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe partia e tij në pushtet e drejtësisë dhe zhvillimit do ta akuzonte për puçin e dështuar vetë Gylenin dhe përkrahësit e tij të supozuar brenda ushtrisë turke, gjykatave, sistemit të edukimit dhe institucioneve të tjera qeveritare, si shtesë të sektorit të tij privat.
Që nga puçi i dështuar, qeveria ka mbyllur të gjitha institucionet publike dhe private të identifikuara nga ajo si “të ndërlidhura me organizatën terroriste të Gylenit”. Këtu përfshihen 15 Universitete dhe 934 shkolla dhe qendra mësimi, sikundër edhe spitale dhe klinika, fondacione, asociacione dhe biznese.
Afro 77.000 punonjës qeveritarë, përfshi edhe zyrtarë policorë dhe ushtarak, gjykatës, prokurorë dhe mësues janë dëbuar nga puna.
Aygul, ndërkohë, është një jurist e re optimiste dhe ambicioze me një nivel shkollimi në Ankara. Ajo thotë se është e lumtur që ka lënë shkollimin në shkollat e Gylenit pas dy vjetësh, posaçërisht sepse ‘provimet universitare dhe ato shtetërore qenë ‘vjedhur’ për përkrahësit e Gylenit”, një ngjarje kjo që ka ndodhur në vitin 2010.
Babai i saj thotë se kjo gjë nuk ishte vetëm e kundërligjshme por edhe “në kundërshtim me parimet fetare”.
“Ajo që më hidhëron më shumë është se Erdogan dhe Gylen ishin dora e djathtë dhe e majtë e të njëjtit trup deri më 2013 dhe mbështesnin njëri tjetrin. Tani njëri (Erdogan) po e lufton tjetrin (Gylenin) duke hedhur gjithë fajësinë e botës mbi aleatin e vjetër”,tha ai.
Kur partia e Erdoganit i fitoi zgjedhjet parlamentare më 2002 dhe ndërtoi qeverinë një partiake, dukej se gëzonte mbështetjen aktive të lëvizjes Gylen. Me fillimin e vitit 2010, Erdogan dukej se po e distanconte veten nga lëvizja Gylen duke larguar nga agjencitë qeveritare të gjithë përkrahësit e tij.
Brenda tri vjetësh, Erdogani dukej se u nda plotësisht nga Gyleni, pasi u publikuan një numër i regjistrimeve audio dhe video që flisnin për korrupsionin në qeverinë e partisë së Erdoganit dhe qarqeve të afërta me të. Presidenti dyshoi se materialet ishin lëshuar nga lëvizja Gylen. (RFE)