Zona jugore dhe qendrore e Shqipërisë, po përjeton një situatë të rënduar reshjesh dhe përmbytjesh. Lumenjtë Osum, Gjanicë, Drinos, Vjosë, Shkumbin e Devoll, si dhe degëzimet e tyre, kanë dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje dhe çarje të tokës në zonat përreth.Ushtria e Shqipërisë është në gatishmëri dhe ka ndërhyrë për evakuimin e banorëve në zonat e prekura, ndërkohë Ministra e Brendshme bën me dije se janë ngritur shtabet e emergjencave civile në çdo qark.
Në fshatin Novoselë të Vlorës, 300 shtëpi janë përmbytur nga dalja e ujërave të lumit Vjosë. Disa fshatra në zonën e Fierit janë rrethuar nga uji, dhe forcat e ushtrisë kanë tentuar për të larguar disa njerëz të bllokuar në banesat e tyre, por, errësira dhe koha e keqe e vështirësuan ndërhyrjen e tyre.
Të prekura janë edhe disa fshatra në Gjirokastër nga dalja e lumit Drino, disa fshatra në Librazhd nga dalja e lumit Shkumbin, si dhe disa fshatra në Berat që rrezikohen nga lumi Osum.
Deri tani nuk ka njoftime për të lënduar në njerëz, ndërsa fatura financiare e dëmeve materiale dhe në bagëti, ende nuk është bërë. Specialistët e sinoptikës parashikojnë vazhdimin e reshjeve gjatë gjithë javës në vazhdim. (rel)