Qeveria amerikane pritet të publikojë së shpejti rregullat e reja, të cilave do t’u nënshtrohen kompanitë që janë duke eksperimentuar me makaina pa shofer.
Disa nga kompanitë më të mëdha amerikane, si Apple, Ford, Google dhe Uber po garojnë për të krijuar makinat e së ardhshmes, të afta për të lëvizur në mënyrë autonome. Por ndërsa makinat pa shoferë kanë filluar të përdoren në mënyrë eksperimentale duke ndarë që tani rrugët me makinat e zakonshme, rregullat për përdorimin e kësaj teknologjie kanë mbetur pas.
Shpresa është që rregullat e reja, që do të publikohet të martën, do të japin një kornizë të përgjithshme ligjore, për të zëvendësuar udhëzimet e fragmentuara dhe disa herë kontradiktore, që ndryshojnë nga shteti në shtet.
“Duke patur potencialin të përmbysin transportin siç e njohim deri më sot, ta bëjnë lëvizjen më të sigurtë dhe më të pranishme sesa makinat e sotme dhe ndoshta edhe më të efektshme, makinat autonome janë bërë prototipi i transportit të së ardhmes” tha sekretari i Transportit Anthony Foxx.
“Megjithatë, ka shqetësime. A do të zëvendësojnë ato plotësisht shoferët? Çfarë ndikimi socio-ekonomik do të vijë nga ky ndryshim dramatik? A do të sjellin ato ndryshime në natyrën e privatësisë dhe sigurisë? Shumë nga këto pyetje do të kërkojnë kohë më të gjatë dhe një dialog më të thellë me qeverinë, industrinë, akademinë dhe më e rëndësishmja me publikun,” shtoi ai.
Presidenti Barack Obama komentoi për rolin e qeverisë në rregulloren e makinave pa shoferë në një shkrim të fundit.
“Nëse një makinë autonome nuk është e sigurtë, ne kemi autoritetin ta tërheqim nga qarkullimi” shkruante presidenti në një artikull redaksional të gazetës Pittsburgh Post. “Ne nuk do të hezitojmë të mbrojmë sigurinë e publikut amerikan.”
Kompania Uber po teston makinat autonome në Pittsburgh, megjithëse makinat eksperimantale kanë shoferë brenda, në rast se diçka nuk shkon mirë.
“Mënyra më e shpejtë për të frenuar novacionin është në se publiku humbet besimin në sigurinë e teknologjive të reja,” tha presidenti, duke shtuar se përfshirja e qeverisë në teknologjinë e re do të ndihmojë për ta mbështetur këtë siguri.
Muajin e ardhshëm, Shtëpia e Bardhë do të organizojë një takim në Pittsburgh, me shpresën për të nxitur zhvillimin e makinave autonome. (voa)