Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha të martën se ka vendosur të zgjerojë hetimet lidhur me bisedat e përgjuara telefonike për të cilat fillimisht hetimet ishin hapur ndaj deputetit Adem Grabovci, ish kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në një njoftim të prokurorisë thuhet se hetimet përfshijnë edhe shtatë zyrtarë të tjerë. Ndonëse prokuroria ka vënë vetëm nistoret e zyrtarëve, ata janë Arbenita Pajaziti, ish-shefe e njësisë për furnizim në departamentin e farmacisë në ministrinë e Shëndetësisë, Ilhami Gashi, ish- sekretar i përgjithshëm në ministrinë e Punëve të Brendshme, Besim Beqaj ish- ministër i Zhvillimit Ekonomik, Njazi Kryeziu, ish- kryesues i Kuvendit në komunën e Prizrenit, Zenun Pajaziti, deputet, Fatmir Shurdhaj. ish-zëvendës ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe Sedat Gashi, ish-këshilltar politik në ministrinë e Punëve të Brendshme.
Sipas prokurorisë “të gjithë të pandehurit dyshohen për kryerjen e dy veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.
Nën këto dyshime prokuroria e Posaçme e Kosovës më 26 gusht hapi hetimet ndaj Adem Grabovcit.
Hetimet kundër tij pasuan publikimin e përgjimeve të bisedave në gazetën në internet “Insajderi”, ku shfaqet ndikimi i ushtruar nga ai dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.
Përgjimet janë kryer gjatë muajve të fundvitit 2011 dhe në fillim të vitit 2012 në kuadër të hetimeve që kryheshin atëbotë në ish Ministrinë e Transportit, ku subjekt i përgjimeve, me autorizimin e prokurorit të EULEX-it, ishte edhe Adem Grabovci.
Publikimi i përgjimeve nxiti shumë reagime në Kosovë. Diplomatë perëndimorë kërkuan analizë të plotë e transparente, ndërsa partitë opozitare bënë thirrje që hetimet të çohen deri në fund. Grupe organizatash joqeveritare për ditë me radhe kanë protestuar duke kërkuar drejtësi dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. (voa)