Maqedoni, prokurorja Janeva në zyrat e DSK

janevaNë Maqedoni, një ekip i Prokurorisë së Posaçme e kaloi natën në zyrat e Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim (DSK) në pritje të qasjes tek dokumenta që kanë të bëjnë me përgjimet në masë të bisedave telefonike.

Të mërkuren, kryeshefja e Prokurorisë së Posaçme, Katica Janeva e cila hyri në DSK për të hetuar çështjen, tha se DSK po krijon pengesa për të zvarritur hetimet.

Ndërkaq, nga shërbimi sekret kanë thënë se sistemi është në pronësi të operatorit dhe vetëm një person i autorizuar nga ai do të mund të kryejë “selektime të masave të veçanta hetimore”.

Me urdhër të gjykatës, zonja Janeva kërkon nga shërbimi sekret të zbulojë se kush dhe përse i bëri përgjimet telefonike, kush ishte porositësi dhe a është i përfshirë dikush nga jashtë, siç pretendohej në fillim të skandalit nga drejtues të pushtetit në Maqedoni.

Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se prej muajsh është përpjekur të bisedojë me DSK dhe është ankuar për mungesë bashkëpunimi nga drejtori i këtij shërbimi. Kjo prokurori synon të marrë të dhëna për të gjitha bisedimet e përgjuara, nga viti 2008 deri në 2015.

Skandali i përgjimeve u publikua në fillim të vitit të kaluar nga drejtuesi i opozitës, Zoran Zaev. Mendohet se janë mbi njëzet mijë biseda të regjistruara të politikanëve, biznesmenëve, gazetarëve dhe personaliteteve të tjera në Maqedoni. Në një pjesë të tyre dëgjohen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të pushtetit duke folur për manipulime zgjedhore, trysni ndaj bizneseve dhe medias.

Pas shumë muajsh, ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska dhe shefi i shërbimit sekret Sasho Mijallkov dhanë dorëheqjen, po ashtu edhe njëri nga personat më të ekspozuar në skandal, ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>