Janë bërë 6 ditë nga vdekja e Astrit Deharit në brugun e Prizrenit, dhe në këto 6 ditë, në vend që të kemi sa më shumë qartësi e drejtësi për rastin, vetëm sa janë shtuar dilemat dhe faktet që flasin për një sistem krejtësisht të kapur e të padrejtë, dhe për pamundësinë që t’kemi një hetim dhe vendim të drejtë për rastin në fjalë.
Këto problem thelbësore dhe fakte konkrete që flasin për pamundësinë që të vendoset drejtësi për rastin e Deharit, i prezantoi Dardan Molliqaj, Sekretari Organizativ i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Përmes sllajdeve të paraqitura, Molliqaj prezantoi fillimisht deklaratën e Drejtorit të Policsë Rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili kishte deklaruar mënjeherë pas rastit se në bazë të informatave të marra nga Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, viktima ka përdorur disa medikamente dhe ka rënë në gjendje kome. Ai poashtu ka deklaruar se Astriti rrugës për në emergjencë ka ndërruar jetë dhe atje ka arritur pa shenja jete.
“Në bazë të autopsisë, që është bërë mbi trupin e Astrit Deharit, edhe nga ekspertët e caktuar nga Prokuroria e Shtetit dhe ata të caktuar nga familja, me konsensus të plotë është vërtetuar që në trupin e Astrit Deharit nuk ka pasur asnjë medikament”, deklaroi Molliqaj.
Ai tha se është konfirmuar ajo që kemi thënë se i ndjeri nuk ka përdorur asnjë medikament sa ka qenë në burg, kurse për deklarimet e Krasniqit tha se nuk mund të jenë kursesi të rastësishme e të paqëllimta. Me ç’rast tha po ashtu se me veprimet e këtilla edhe tani, por edhe pas arrestimit të gjashtë aktivistëve, dëshmohet se kjo polici është e pamundur të bëjë hetim të mirëfilltë pa prezencën e hetuesve ndërkombëtarë. Si dhe sqaroi që mjekët ligjorë të caktuar nga familja nuk janë lejuar të bëjën obduksion të vendit të ngjarjes, por veç të trupit, përderisa mjekëve të tjerë ligjorë i është lejuar kjo gjë, pra obsuksion i plotë.
Më pas, u paraqit edhe një audio-inçizim nga rasti “Pronto 2”, ku gjatë bisedës mes Adem Grabovcit dhe Nijazi Kryeziut, kuptohet se Kryeprokurori i Rajonit të Prizrenit, Sylë Hoxha, është caktuar në atë pozitë me urdhëra të klanit “Pronto”.
“Për ne, Sylë Hoxha nuk paraqet asnjë mundësi të vetme që ky proces të jetë i drejtë, dhe vazhdimi i hetimeve nën udhëheqjen e Sylë Hoxhës është i papranueshëm për familjen Dehari, është i papranueshëm për ne, dhe në bazë të këtij audio-inçizimi që paraqitëm, duhet të jetë i papranueshëm edhe për të tjerët. Një kryeprokuror i kapur nga klani ‘Pronto’, s’mund të jetë garanci e një procesi të drejtë për asnjërin nga ne”, shtoi Molliqaj.
Tutje, Molliqaj prezantoi edhe deklaratën e Zëdhënëses së Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashit, e cila kishte deklaruar se gjyqtari i procedurës paraprake – Vehbi Kashtanjeva – nuk ishte i informuar për ndonjë kërkesë për leje-vizitë tek Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Ai tha se gjyqtari Vehbi Kashtanjeva vazhdon të mbajë në burg aktivistët e dyshuar pa asnjë fakt, duke mos paraqitur as shenjat e gishtrinjëve, ADN’në dhe mostrat e tjera që janë marrë, për të para se a përputhen me rastin në fjalë.
Më tej, Molliqaj sqaroi se ai kishte vizituar Deharin me datën 27 tetor në Prizren, gjë për të cilën ka treguar edhe më herët, si dhe shpjegoi procedurat për vizitë, ku tha se kërkesa për të gjithë që duan të bëjnë vizitë bëhet nga familja dhe dorëzohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës. E një kërkesë e tillë aprovohet me shkrim nga gjyqtari i procedurës paraprake, në këtë rast nga Vehbi Ksashtanjeva, dhe më pas e njëjta dorëzohet në burgun ku bëhet vizita.
“Ne i bëjme thirrje këtij gjyqtari që ka mashtruar publikisht, me i paraqitë gjitha kërkesat e familjes me shkrim, se kush ka kërkuar vizitë për Astrit Deharin. Dhe i bëjmë thirrje që gjitha kërkesat që i ka aprovuar ose refuzuar, t’i bëjë publike. Dhe i bëjmë thirrje Shërbimit Korrektues të Kosovës me i paraqitë gjitha vizitat qe kanë ndodhë te Astrit Dehari dhe lejet që janë marrë nga gjykata. Do ta shihni të gjithë se edhe unë, edhe Sami Kurteshi, edhe gjithë aktivistët që kanë qenë në vizitë, kemi qenë me lejën e këtij gjyqtari”, ka theksuar Molliqaj, duke shtuar se një gjyqtar që gënjën publikisht për lejet që gjenden në tre vende dhe për fajin e të cilit mbahen ende në burg aktivistët, nuk mund t’i besohet në asnjë moment.
“Jemi të bindur se po të mos kishte qenë Astrit Dehari në burg, ai do të ishte në mesin tonë, do të ishte i gjallë”, tha Molliqaj, duke thënë se Kashtanjeva zbaton urdhërat e pushtetit për persekutim të aktivistëve, si dhe duke ftuar mediat që të ndjekin këtë rast, për të zbardhur edhe gënjeshtrat e gjyqtarit Vehbi Kashtanjeva.
Molliqaj prezantoi fakte edhe për Prokurorin e caktuar për rastin e Astrit Deharit, Metush Birajn, i cili është ende nën hetime për shkelje etike. Biraj si Kryeprokuror i Prizrenit ka kërkuar zbutje të dënimit për Elez Hoxhën, gjyqtar në atë kohë, njëherit vëllai i Kryeprokurorit aktual të Rajonit të Prizrenit, Sylë Hoxha. Elez Hoxha ishte i dënuar me katër vite burg për korrupsion, duke marrë para për një rast vrasjeje.
Ai deklaroi se nuk mund t’i besohet as Nexhmi Krasniqit, as Sylë Hoxhës, as Vehbi Kashtanjevës e as Metush Birajt, të cilët i quajti njerëz të kapur nga klani “Pronto” dhe të paaftë për të vendosur drejtësi.
“Këto janë fakte të pamohueshme, që komplet sistemi i cili është i thirrur për të vendosur drejtësi – edhe për aktivistët sa i përket aktakuzës për terrorizëm, por edhe në veçanti rastin e Astrit Deharit – është komplet i diskredituar. Në këtë pikë, familja dhe ne i qëndrojmë prapa të njëjtës kërkesë që nuk jemi të pajtimit dhe as dakord, që asnjë minutë të vetëm, ky sistem i korruptuar e i kapur deri në fund me i vazhdu hetimet për rastin Dehari. Pra, ne kërkojmë që hetimet në këtë rast nga ky grup dhe nga këto institucione të ndalen mënjeherë, derisa në ekip të kemi hetues të pavarur të caktuar nga familja. Jo hetues të pavarur – vendor a ndërkombëtar – që i sjell klani “Pronto”. Por, hetues siç ishte rasti te mjeksia ligjore, që i cakton familja, gjë që lejohet e garantohet me ligj”, tha po ashtu Dardan Molliqaj.
Në fund, Molliqaj sqaroi që gjitha vizitat e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s, e edhe ato në burgun e Prizrenit, kanë qenë të shoqëruara nga familja. Duke shtuar se kjo është e vërtetueshme lehtë, fillimisht duke u konfirmuar një gjë të tillë nga vetë familja, e edhe duke i parë kamerat e sigurisë në burg që gjithë kohën janë aty.
“Çdo pretendim për këtë çështje, përveç se është i pasaktë, është edhe tendencioz, dhe vetëm sa e shton mërzinë te familja, e cila edhe sot dëshironte të ishte këtu për të demantuar një lajm të këtillë. Por, ne i kërkuam që një gjë e tillë të mos bëhet sepse është e panevojshme, dhe ata kanë një pjesë tjetër të obligimit, janë duke pritur njerëz për ngushëllime”, përfundoi Molliqaj.