Të premten në mesnatë përfundon afati i dorëzimit të emrave të kandidatëve për ligjvënës në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare, të caktuara për më 11 dhjetor në Maqedoni. Shumica e partive i kanë bërë publike listat. Komuniteti ndërkombëtar pret një proces të drejtë dhe të besueshëm të këtyre zgjedhjeve.
Para skadimit të afatit në mesnatë për paraqitjen e listave me emrat e kandidatëve për ligjvënës, partitë shqiptare mbetën në qëndrimet e njohura: partitë e konsideruara më të mëdha shkojnë të vetme në zgjedhjet e 11 dhjetorit, por as partitë e reja nuk arritën të formojnë një koalicion më të gjerë parazgjedhor.
Shqiptarët, si zakonisht do të fitojnë numrin më të madh të deputetëve në zonën e gjashtë zgjedhore, që përfshin Tetovën e Gostivarin, një pjesë të Dibrës së madhe dhe të Kërçovës. Secila nga gjashtë zonat dërgon nga 20 deputetë në parlamentin republikan. Të gjithë drejtuesit e partive shqiptare garojnë në zonën e 6-të, ku paraqiten si bartës të listave, siç thuhet këtu, përkarësisht votuesit rrethojnë emrin e kandidatit numër një të partisë në listën zgjedhore. Ali Ahmeti i BDI-së, Menduh Thaçi i PDSH-së, Bilall Kasami i Lëvizjes Besa, Zijadin Sela i Lëvizjes për Reforma në koalicion me Rilindjen Demokratike Kombëtare dhe Unitetin do të garojnë këtu, ndërsa Lidhja Social Demokrate me Petre Shilegov. Numër 2 në listën e LSDM-së në po këtë zonë është Gjylimsere Kasapi, një aktiviste për të drejat e grave dhe pedagoge universiteti. Opozita maqedonase ka dy kandidatë shqiptarë me gjasa serioze për të fituar postet e ligjvënësve. Partia po premton sidomos një përdorim më të gjerë të gjuhës shqipe nëse arrin të fitojë dhe formojë qeverinë e re. Kjo ndërkaq ka shkaktuar nervozë tek partitë shqiptare, me që mendohet se disa mijë vota shqiptare mund të shkoëjnë për LSDM-në.
Në zonën zgjedhore numër 1 që përfshin një pjesë të Shkupit në krye të listave do të jenë Nikolla Gruevski i VMRO-DPMNE-së, Stevo Pendarovski, ish-kandidat për president nga Lidhja Social Demokrate, Artan Grubi i BDI-së, Idriz Orana i PDSH-së, Zeqirja Ibrahimi i Lëvizjes Besa, Sulfi Adili i Unitetit. Në zonën numër dy që përfshin poashtu pjesën tjetër të Shkupit dhe Kumanovën garojnë Ejup Halimi i BDI-së, Orhan Ibrahimi i PDSH-së, Afrim Gashi i Lëvizjes Besa.
Në përbërjen e fundit parlamentare shqiptarët kishin gjithsej 27 deputetë, ndërsa analistët mendojnë se për shkak të rrethanave të reja, shpërndarjes së votave në më shumë faktorë dhe pakënaqësisë së shtuar, numri i ligjvënësve shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë do të jetë për 3 a 4 më i vogël. (voa)