Qeveria e Maqedonisë ende vazhdon të hesht dhe mos të ndërmarrë asnjë iniciativë për organizimin e regjistrimit të popullsisë. Edhe pse faktori ndërkombëtar një gjë të tillë e ka kërkuar vazhdimisht, pasi që Maqedonia mbetet vendi i vetëm në rajon pa regjistrim.
Madje është vet kryeministri Nikola Gruevski, ai që pati thënë se do të ndryshohet koncpeti për realizimin e këtij operacioni, pasi që sipas tij në regjistrimin e vitit 2011 që doli të jetë i dështuar, kishte shumë parregullsi dhe ishin bërë manipulime dhe falsifikime të ndryshme me të dhënat.
Ndërsa në bazë të regjistrimit të fundit të realizuar në vitin 2002, numri i shqiptarëve në Maqedoni arrin në 25.17 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës dy milionëshe, por përveç shqiptarëve që pretendojnë të jenë në përqindje më të lartë, edhe qarqe të caktuara maqedonase pretendojnë se kjo përqindje është më e ulët dhe se sipas tyre, ajo është rritur me qëllim të realizimit të Marrëveshjes së Ohrit.
I pyetur rreth kësaj çështje gazetari kosovar, Bajram Mjeku thotë se është vet Gruevski ai që ka ndaluar regjistrimin e popullatë nga frika e shifrës reale të shqiptarëve atje. Pasi sipas tij shtetin e Maqedonisë jetojnë afro 40% shqiptar.
“Pyetja juaj më riktheu në 26 vjet më parë kur presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova gjatë intervistave për mediat e huaja thoshte se “shifra e popullatës shqiptare në Maqedoni është mbi 40 për qind!”. Sigurisht që ish-kryeministri Gruevski ka stopuar regjistrimin e popullatës pikërisht duke iu frikësuar shifrës reale të shqiptarëve në Maqedoni që duhet të besojmë që sillet rreth 40 për qind, duke e patur parasysh edhe faktin tjetër se veçanërisht gjatë tri dekadave të fundit, një numër i madh i shqiptarëve në Maqedoni kanë migruar në Evropë për shkak të diskriminimit permanent që po ndodh kundër tyre në Maqedoni”, shprehet Mjeku.
Madje gazetari kosovar është skeptik nëse partia shqiptare fituese që do të dal nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, do të insistoj që të kryhet procesi i regjistrimit të popullatës, në mënyrë që të dihet numri real i shqiptarëve. Pasi sipas tij të njëjtat nuk japin shpresë për daljen të shqiptarëve nga gjendja e rëndë.
“Pavarësisht cila parti politike shqiptare që do t’i fitojë zgjedhjet nga shumica shqiptare, nuk besoj se do të insistojë që të organizohet regjistrimi i popullsisë e bashkë me këto regjistrime edhe të dihet numri real i shqiptarëve në Maqedoni. Më keq se kjo, shqiptarët në Maqedoni pothuajse janë duke e përjetuar të njëjtin duskriminim si dy dekada e gjysmë më parë nën regjimin ish-jugosllav. Partitë aktuale politike shqiptare në Maqedoni nuk japin shpresë për dalje të shqiptarëve nga gjendja e rëndë që tash një kohë po mbretëron atje. Më keq se kjo, shqiptarët në Maqedoni kanë mbetura pa alternativa për të sfiduar gjendjen e nderë që po mbretëron atje”, përfundon Mjeku për Zhurnal.
Ndërsa ish-ministri kosovar, Ismet Mulaj mendon se regjistrimi i popullsisë në Maqedoni dhe shifra reale e popullit shqiptar atje, nuk do të mund të pasqyrohej në mënyrë reale pa ndihmën e Kosovës dhe Shqipërisë.
“Përderisa shqiptarët janë të përçarë dhe pa ndonjë ndihmë konkrete nga Kosova dhe Shqipëria nuk do të mund të realizohej ky objektiv. Po ashtu edhe BE nuk i ka bërë ndonjë presion që Maqedonia të realizonte një regjitrim real të popullisë në Maqedoni”, thotë Mulaj. I cili në fund apelon tek të gjithë shqiptarët që të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 dhjetorit e veçmas diaspora shqiptare.
Ndryshe sipas regjistrimit të vitit 2002 në Maqedoni jetojnë 509.038 shqiptarë apo 26 për qind, që nuk është aspak reale, pasi prej 1991 e deri 2002 me shtim natyrorë 18 promila numri i shqiptarëve ka arrit 802.296 shqiptarë ose 35% e numrit të përgjithshëm të popullsisë në Maqedoni. Prej viti. 2002 deri në vitin 2012 me shtim natyror prej 15 promila tek ne shqiptarët do të ketë 927 mijë shqiptarë. (zhurnal)