Mineralet janë elemente thelbësore për shëndetin e trupit të njeriut. Ato janë përbërës të ilaçeve të rëndësishme dhe përdoren si burime ose komponente të pajisjeve të sofistikuara mjekësore. Qendra Klinike e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë në Uashington ka hapur një ekspozitë të veçantë për të nxjerrë në pah rolin e tyre të rëndësishëm.
Mineralet ekspozuara në Qendrën Klinike të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë duken si gurë të çmuar në dyqanet e bizhuterive. Por ekspozita me titull “Mineralet në Mjekësi” shpjegon se si substancat që mund të nxirren nga toka luajnë rol të rëndësishëm në shëndetin e njeriut, ilaçet dhe trajtimet mjekësore.
“Secili mineral ka një rol të ndryshëm. Disa janë tepër të rëndësishëm, si antibiotikët ose argjendi. Të tjerët janë të rëndësishëm sepse ndihmojnë në trnasferimin e proteinave të caktuara, si për shembull bakri. Fluori është i rëndësishëm për shëndetin e dhëmbëve. Pra, ato kanë funksione të ndryshme dhe për këtë arsye janë kaq të rëndësishme,” thotë John Gallin, drejtor i Qendrës Klinike.
Drejtori i Qendrës Klinike thotë se këto minerale janë gjithashtu komponentë të rëndësishëm në disa nga pajisjet më të sofistikuara mjekësore të përdorura në spitale në të gjithë botën.
“Për shembull berili, një kristal i bukur, është shumë i rëndësishëm në pajisjet tona të kontrollit dhe diagnostikimit si radiografia e kompjuterizuar apo mamografia”.
Les Folio, radiolog në Institutit Kombëtar të Shëndetit thekson rëndësinë e mineraleve të tjera si kuarci, të cilat janë gjithashtu komponente kritike për pajisjet mjekësore.
“Këto imazhe të radiografisë së kompjuterizuar tani na ofrojnë informacion tre-dimensional. Ju mund të shihni mushkëritë dhe organet e brendshme. Këto zona të gjelbra janë nyjet limfatike nga metastazat e kancerit. Radiografia i kap shumë mirë këto probleme falë mineraleve të paraqitura në ekspozitë”.
Gipsi, i nxjerrë kryesisht në Spanjë, ka qenë prej kohësh një element thelbësor në stomatologji.
“Gipsi, në këtë rast përdoret për të krijuar derdhjen e formës së nofullave dhe dhëmbëve të pacientit për qëllim diagnostikimi.”
Dyzet mineralet e paraqitura në ekspozitë janë huazuar nga Muzeu Kombëtar i Historisë Natyrore i Institutit Smithsonian. “Mineralet në Mjekësi” është pjesë e ekspozitave të vazhdueshme të artit në qendrën klinike të Insitutit Kombëtar të Shëndetësisë.
“Ndikimi i artit mbi shëndetin është shumë intrigues dhe ndoshta shumë i rëndësishëm. Arti mund të jetë pikturë, muzikë, apo gjëra të tilla si kristalet dhe mineralet që i bën njerëzit të buzëqeshin dhe të ndjehen më mirë.”
Zoti Gallin shpreson se vizitorët do të fillojnë të vlerësojnë rolin kritik që mineralet kanë në shëndetin dhe mirëqenien e tyre. (voa)