Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpriti opinionin e Komisionit të Venecias mbi Ligjin e Vetingut.
“Vetingu i gjykatësve do të jetë një hap kuptimplotë drejt eliminimit të korrupsionit të thellë gjyqësor në Shqipëri dhe opinioni i Komisionit të Venecias duhet t’i japë fund çdo shqetësimi legjitim lidhur me ligjin” – thuhet në një deklaratë nga SHBA.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi Ligjin e Vetingut pritet të ketë pasoja dhe ndikim të gjerë për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.
“Shtetet e Bashkuara kanë besim se Gjykata Kushtetuese do të riparojë besimin e publikut tek sistemi gjyqësor që është dëmtuar nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar” – theksojnë SHBA në deklaratë.
Delegacioni i BE-së ka reaguar pas pinionit të Komisionit të Venecias për vettingun.
Diplomatët e shteteve antare të BE-së në Tiranë se bashku me delegacionin mirëpritën përmbledhjen e Venecias lidhur me Kushtetutshmërisë së ligjit të vlerësimit dhe përputhshmërinë e tij me konventat ndërkombëtare.
BE theksoi në deklaratë se progresi në këtë fushë është thelbësor për ecjen përpara të Shqipërisë drejt antarësimit në Bashkimin Europian.
“Shumica e qytetarëve kërkojnë një gjyqësor të pavarur, profesional të paanshëm dhe efektiv. Ne nxitim gjithë forcat politike, institucionet shtetërore dhe organet gjyqësore të nisin pa vonesa zbatimin e reformës në drejtësisë” – deklaroi BE-ja.
Kryeminitri Rama pohoi nw rrjetet sociale se Komisioni i Venecias e konfirmoi ligjin e vetingut pa rezerva.
Partia Demokratike përshëndeti sot miratimin e shpejtë të Opinionit të Komisionit të Venecias për 4 pyetjet që i ka drejtuar Gjykata Kushtetutese për vettingun.
Sipas partisë kryesore të opozitës, Opinioni i Komisionit të Venecias përbën kontribut për shqyrtimin e shpejtë dhe objektiv të cështjes nga Gjykata Kushtetuese.
“Komisioni i Venecias, në paragrafin 64, ka shprehur qartë opinionin se grupi i punës i përbërë nga organet, që janë nën varësinë apo ndikimin e Kryeministrit, si DSIK, SHKB etj., duhet të jetë domosdoshmërisht nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e plotë të Komisionit të Pavarur të Vettingut” – theksoi PD në deklaratën e saj.
PD theksoi në deklaratën e saj se “për Komisionin e Venecias, konkluzioni themelor është që grupi i punës, i cili ka rolin kryesor në kontrollin e figurës dhe që përbëhet nga personel sigurie, të funksionojë nën mbikqyrjen dhe kontrollin e organeve të rivlerësimit dhe që të gjitha materialet në dispozicion të grupit të punës duhet të jenë në dispozicion të tyre”.
Ky konkluzion themelor i Komisionit të Venecias konfirmon tërësisht, sipas saj, qëndrimin e Partisë Demokratike, se procesi i kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të bëhet vetëm nga organet kushtetuese të rivlerësimit, dhe se çdo organ tjetër qeveritar duhet të veprojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve kushtetuese të rivlerësimit
PD tha se në paragrafin 64 të Opinionit të Komisionit të Venecias, saktësoahet qartë që vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të bëhet jo nga kryeministri, por nga organet kushtetuese të rivlerësimit.
“Komisioni i Venecias, në paragrafët 46 dhe 58, çmon se Gjykata Kushtetuese që duhet të vlerësojë nëse organet kushtetuese të rivlerësimit, kanë kontrollin e plotë mbi organet qeveritare, si kusht që ligji të jetë në përputhje me nenet 6 dhe 8 të KEDNJ-së.” – deklaroi PD.
Partia kryesore e opozitës nxiti Gjykatën Kushtetuese të përfundojë në një kohë të shkurtër shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjit të vettingut, sipas çështjeve të ngritura në kërkesën e Partisë Demokratike.
“Komisioni i Venecias shprehet në paragrafin 15, se nuk merr përsipër të analizojë përputhshmërinë ligjit me Kushtetutën dhe ligjet e brendshme, sepse kjo detyrë i takon vetëm Gjykatës Kushtetutese, e cila duhet të garantojë që ligji i vettingut të jetë në përputhje me Kushtetutën” – nënvizoi PD.
Sipas saj, Vettingu është garancia e vetme kushtetuese për largimin nga sistemi të gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar dhe nuk mbron të korruptuarit dhe kriminelët në pushtet, siç përpiqet të bëjë shumica parlamentare. (voa)