Çfarë kanë të përbashkët radioskopia dhe tomografia? Të dyja japin imazhe fikse të gjithçkaje brenda trupit, dhe, ndërsa mund t’u tregojnë shumë mjekëve dhe studiuesve, ata nuk mund të tregojnë me saktësi se si muskujt dhe kockat punojnë së bashku. Deri tani! Në sajë të disa teknologjive të reja mahnitëse, shkencëtarët janë duke parë filmime radioskopike të të gjitha llojeve të kafshëve, dhe gjatë këtij procesi po mësojnë shumë për biologjinë e tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kevin Enochs sjell hollësitë.
Quhet XROMM ose Rindërtimi i Radioskopisë së Morfologjisë së Lëvizshme, dhe është një mënyrë e re për të parë brenda trupave të njerëzve dhe kafshëve.
“Për mua është thjesht procesi i zbulimit, procesi i të parit të diçkaje që nuk mund të shihet me sy të lirë”, thotë Elizabeth Brainerd.
Biologia Elizabeth Brainerd dhe ekipi i saj i hulumtimit në universitetin Brown realizuan teknologjinë e imazheve.
Tomografia jep imazhin e formës së kockës. Duke i shtuar filmimet radioskopike, shkencëtarët mund të krijojnë animacione tre dimensionale që duken si pamje filmike të pjesëve të brendshme të trupit.
“Me kombinimin e XROMM-it dhe fluoromikrometrisë ne mund të shtojmë muskujt tek ky animacion në mënyrë që të kuptojmë sesi kockat dhe muskujt bashkëveprojnë për të krijuar lëvizjen”, thotë zonja Brainerd.
Ekipi ka studiuar lëvizjet tek njerëzit dhe derrat, por tani po punon me peshqit mustak dhe atë që Brainerd e sheh si problem të ngrënies tek ta.
“Ndërsa vijnë dhe përpiqen të marrin ushqim, ata e shtyjnë nga vetja fillimisht pasi ushqehen duke thithur dhe pastaj e thithin ushqimin”, thotë ajo.
Ekipi zbuloi se muskujt e fortë në trupin e peshkut mustak ndihmojnë të krijojnë forcën thithëse që tërheq ushqimin në gojën e tyre.
Puna e ekipit përfshin shumë lloje kafshësh, nga peshqit tek njerëzit, me synimin për të kuptuar sesi kockat dhe muskujt punojnë së bashku për të na çuar aty ku duam të shkojmë. (voa)