Deputetët e majtë rrëzuan mbrëmë në parlament dekretet e presidentit Bujar Nishani për ligjin e Gjykatësë së Lartë dhe të ligjit tjetër për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ata pohuan se ligji i ri për Gjykatën e Lartë, që presidenti e ktheu për rishqyrtim, rrit transparencën dhe zgjedhjen me meritë të gjyqtarëve.Ligjvënësit e shumicës theksuan se aktualisht nuk dihet se si dhe mbi çfarë vlerësimesh presidenti zgjedh antarët e Gjykatës së Lartë. Por opozita deklaroi se ligji i ri është antikushtetues, sepse këtë kompetencë ia heq presidentit dhe ia kalon qeverisë, pra, ligji synon kapjen e Gjykatës së Lartë nga ekzekutivi.
Partia Demokratike shprehu shqetësimin se duke ia hequr presidentit kompetencën kushtetuese shumica po vonon integrimin në Bashkimin Europian. Opozita tha se ishte e gatshme për të bashkëpunuar për një reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi, por shumica me hapin e njëanshëm sot e fragmentoi këtë proces, duke synuar thjesht ta uzurpojë sistemin gjyqësor.
Përfaqësues të shumicës thanë se ngritja e Këshillit për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë nuk prek kompetencat e Presidentit. Megjithatë edhe më parë socialistët rrëzuan kandidatët e propzuar nga presidenti Nishani për antarë të Gjykatës së Lartë. Po me votat e shumicës rrëzoi edhe dekretin presidencial për të rishqyrtuar ligjin për organizimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Parlamenti miratoi në mbrëmje edhe 3 antarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vende të mbetura të mbetura bosh prej një viti, pas dorëheqjeve qysh nga zgjedhjet e kaluara. Edlira Jorgaqi dhe Gëzim Veleshnja janë dy antarët më të rinj, ndërsa për Denar Bibën betimi mbrëmë shënoi një kthim të dyfishtë në të njëjtin post, si antar dhe si nënkryetar i KQZ, nga ku dha dorëheqjen.
Votimi dhe betimi u kryen në të njëjtën seancë, ndaj ata mund t’i bashkohen KQZ-së menjëherë për të administruar përgatitjet e zgjedhjeve vendore, të cilat tashmë kanë filluar.
Parlamenti u përfshi dje në një seancë maratonë, ku u diskutua gjatë për disa korigjime me akt normativ brenda një muaji në buxhetin e sapoaprovuar të shtetit, të cilat në fund u miratuan me votat e shumicës. (voa)