Të martën (24.01) në Bruksel takohen presidentët dhe kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë. Ky takim i nivelit të lartë zhvillohet me ndërmjetësim e shefes së diplomacisë evropiane Federika Mogherini.
Të martën (24.01) në Bruksel Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime për normalizimin e marrëdhënieve pas disa muajsh ndërprerjeje. Në takimin, që zhvillohet në zyrën e shefes së diplomacisë evropiane, Federika Mogherini, marrin pjesë niveli më i lartë politik: nga Kosova presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa, ndërsa, nga pala serbe, Presidenti Tomisllav Nikoliç dhe kryeministri Aleksander Vuçiq. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës, thonë se po zhvillohen konsultime ndërmjet kryeministrit Isa Mustafa dhe presidentit Hashim Thaçi për këtë takim.
Presidenti Hashim Thaçi, tha (23.01) në Prishtinë, se “ka ardhur koha që të hapet kapitulli i fundit i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Nga ana tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha për mediet në Serbi se “bisedat e së martës në Bruksel nuk do ta kenë kurrë besimin siç e kanë pasur para katër vjetësh”. Vuçiq nuk pret ndonjë marrëveshjeje të re nga ky takim. “Nuk pres shumë nga dialogu i nesërm në Bruksel. Për ne është me rëndësi t’i lusim zyrtarë evropianë të mos e përkrahin dërgimin e armëve dhe të mjeteve aty ku nu e kanë vendin. Bisedat e nesërme nuk do ta ketë kurrë besimin siç e kanë pasur para katër vjetësh dhe do të jetë vështirë të arrihet ndonjë përfundim”, citojnë mediet serbe kryeministrin Aleksandër Vuçiq.
Takimi në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogadit në nivelin më të lartë politik nga të dyja vendet zhvillohet në një periudhë marrëdhëniesh jo të mira ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sidomos pas arrestimit nga policia franceze të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj bazuar në një flet-arresti të Serbisë dhe tentimit të kësaj të fundit që ta fusë në Kosovë një tren me mbishkrime “nacionaliste”.
Pikërisht këto tensione ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thuhet ta kenë nxitur shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, të ftojë për të martën (24.01)një takim të përfaqësuesve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë.
Maja Kocijanqic, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, tha në një konferencë për medie në Bruksel, se progresi në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë ka një rëndësi të madhe. “Siç kemi thënë javën e kaluar, zhvillimet gjatë disa ditëve të kaluara e theksojnë nevojën e përkushtimit dhe angazhimit të shtuar nga të dy palët nëpërmjet dialogut”, tha Maja Kocijançiq, duke shtuar se edhe Kosova edhe Serbia kanë shprehur përkushtim për dialog.
Kosova dhe Serbia prej gati pesë vjetësh zhvillojnë dialog. Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u nënshkrua më 19 prill të vitit 2013. (dw)