Theresa May: Rusia përpjekje për influencë në Ballkan

Theresa MayNë samitin e BE-së që zhvillon punimet në Bruksel (09-10.03) kryeministrja britanike, Theresa May ka akuzuar Rusinë për përpjekje infuence në Ballkan. BE duhet të kundërveprojë.

Kryeministrja britanike, Theresa May dje (09.03) në samitin e Bashkimit Europian që po zhvillon punimet në Bruksel ka akuzuar Rusinë për qëllime influencimi në Ballkan. Ajo përmendi posaçërisht gjendjen në Malin e Zi, ku prokuroria e përgjithshme akuzon Rusinë të fshihet pas një përpjekjeje të dështuar për puç në tetor 2016. Theresa May i bëri thirrje BE-së të “bëjë më shumë për të vepruar kundër fushatave dezinformuese ruse dhe të bëjë më të dukshme angazhimin perëndimor në këtë rajon.”

Edhe kreu i Këshillit të BE-së, Donald Tusk bëri fjalë për “tensione dhe përçarje” në rajon, të cilat “përmes një influence të pashëndetshme kanë dalë jashtë kontrolli”. Sipas tij disa vende janë “destabilizuar” përmes kësaj. E ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Federica Mogherini, e cila së fundmi vizitoi Ballkanin në një tur disa-ditor, kishte paralajmëruar më parë se rajoni rrezikon të kthehet në “një fushë shahu të lojërave të fuqive të mëdha”. “Kam parë një rajon të prekur më shumë në nivele të ndryshme nga tensionet dhe sfidat”, theksoi Mogherini.

Tusk: BE mbetet e angazhuar në rajon

Krerët e vendeve e qeverive të BE-së janë konsultuar të enjten në mbrëmje për gjendjen në rajon, ku katër vende janë vende kandidate për anëtarësim: Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi. Por procesi i integrimit duket i vështirë dhe në disa vende është përhapur zhgënjiimi për mungesën e rezultateve konkrete në jetën e përditshme të njerëzve. Fokusi tek Ballkani këtë herë është më shumë përsëritje e premtimit për paqe në Ballkan përmes perspektivës europiane dhe një sinjal se BE nuk e harron rajonin. Një përfaqësues i qeverisë gjermane tha për DW se vendet e Ballkanit nuk duhet të krijojnë përshtypjen se BE merret vetëm me veten, me Trump apo Brexit, por se BE i merr seriozisht zhvillimet në fqinjësinë e drejtpërdrejtë të saj. Vetëm para pak ditësh ishin ministrat e Jashtëm të BE-së që diskutuan për Ballkanin, duket vënë në dukje, se Ballkani ende mbetet fuçi baruti

Prandaj kreu i Këshillit të BE, Donald Tusk theksoi dje në Bruksel se BE i “qëndron angazhimit për stabilitet dhe mirëqenie në rajon”. Kryeministrja britanike bëri të ditur se Britania e Madhe në vitin 2018 parashikon të mbajë samitin e Ballkanit Perëndimor. Iniciativa që doli nga Gjermania në vitin 2014 me mbajtjen e samitit të Berlinit, vazhdoi në Vjenë, e Paris. Këtë vit samiti mbahet në Romë. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>