SHBA vazhdojnë të kërkojnë angazhim më të madh të evropianëve në NATO. Gjermania pohon se duhet të merren parasysh edhe kritere të tjera.
Në takimin e tij të parë me homologët në NATO, ministri i Jashtëm amerikan Rex Tillerson tha atë që edhe është pritur: Ai siguroi se Presidenti Donald Trump do të plotësojë obligimet ndaj NATO-s. Por Tillerson kërkoi nga partnerët një mbështetje më të madhe financiare. Një “disbalancë” e obligimeve në çështjet e sigurisë nuk mund të ekzistojë për një kohë të gjatë. Ai tha se deri në fund të vitit duhet të hartohen plane konkrete për veprim.
Diplomatët e NATO-s e përshkruajnë paraqitjen e tij në Bruksel si një “mainstream”. Tillerson nuk përsëriti akuzat e Presidentit Trump, se NATO është vjetëruar në formën e tanishme dhe se partnerët nuk po i kryejnë obligimet e tyre. Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel ka relativizuar pohimet se shtetet anëtare duhet të ndajnë 2% të GDP për mbrojtje. Në samitin e vitit 2014 është rënë dakord që gjërat të zhvillohen në këtë drejtim, tha Gabriel duke shtuar se ai nuk njeh asnjë politikan në Gjermani që do të mbështeste një buxhet prej 70 miliardë eurosh në vit për sektorin e mbrojtjes. “Kjo nuk është fare reale”, tha ai duke shtuar se Gjermania po angazhohet shumë edhe në sektorë të tjerë, siç është ai humanitar, dhe ai i refugjatëve.
Sa janë 2%?
Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg i ka shprehur kërkesat amerikane me tone pak më diplomatike. “Ne kemi rënë dakord që deri në vitin 2024 të ndajmë 2% për mbrojtjen. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për para të gatshme, por edhe për obligime të tjera”, tha Stoltenberg. Sipas tij, Evropa dhe Kanadaja janë në rrugë të mirë që të realizojnë këto qëllime. Pas presioneve amerikane, qeveritë e vendeve anëtare të NATO-s po mendojnë edhe për plane të ndryshme nacionale, për të arritur këtë 2%. Por deri tani nuk ka ndonjë plan konkret. Gabriel tha se këtu duhen llogaritur edhe shpenzimet për misionet ushtarake, luftën kundër terrorizmit dhe përgatitjet profesionale.
Borxhet
Pas vitizitës së kancelares Merkel në SHBA, Presidenti Trump tha se Gjermania i ka borxh NATO-s me miliarda dollarë. “NATO nuk funksionon kështu”, ishte komenti i diplomatëve në Bruksel. Secili vend anëtar i paguan pak a shumë vet shpenzimet e veta. Në dallim nga Trumpi, delegacioni amerikan nuk ka folur në Bruksel për ndonjë faturë apo borxhe. Çështja e obligimeve do të jetë në rend dite edhe në samitin që do të mbahet me 25 maj në Bruksel, ku do të jetë edhe Trump. SHBA ndan për mbrojtjen 3,6 % të prodhimit bruto. Presidenti Trump ka paralajmëruar rritjen e buxhetit, por këto para janë për bazat në Evropë, Azi, Lindjen e Mesme dhe në Paqësor.
Vendet e NATO-s duan të forcojnë aktivitetet edhe në luftën kundër terrorizmit, tha Jens Stoltenberg. Se në ç’formë do të bëhet kjo, do të saktësohet në samitin e majit. Mosmarrëveshje ka edhe rreth armatimeve. SHBA do të furnizojë kurdët me armë në luftën e tyre për rimarrjen e qytetit Raka, Turqia është kundër, sepe ajo luftëtarët kurdë i sheh si terroristë. Në Bruksel vlerësohet si e rëndësishme pjesëmarrja e Tillerson në këtë takim. (dw)