Në Kosovë, organizatat e shoqërisë civile thonë se pavarësisht përmirësimit të lehtë në demokraci që është shënuar edhe në raportin e fundit të Fredoom House, gjendja vazhdon të mbetet e rëndë dhe sipas tyre demokracia në vend më shumë lidhet me kulturën politike dhe institucionale që kanë partitë politike në Kosovë. Ata thonë se përmirësimet e mëtejshme mbeten peng i vullnetit politik.
Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë thonë se mungesa e vullnetit politik të partive politike dhe udhëheqësve të institucioneve ka bërë që demokracia në vend të mbetet ende e brishtë.
Organizata për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara, Fredoom House, në studimin e saj me titull “Vendet në tranzicion”, mbi demokracinë në 29 vende ish komuniste nga Evropa qendrore deri në Azinë Qendrore, ka vlerësuar Kosovën me përmirësim në fushën e demokracisë,
Në një vlerësim nga një deri në shtatë, ku nota një është shkalla më e lartë, ndërsa 7 është shkalla më e ultë e përparimit demokratik, Kosova ka notën 4.96, ndryshe nga 5.07 që e kishte një vit më parë.
Organizatat e shoqërisë civile thonë se pavarësisht përmirësimit të lehtë, gjendja vazhdon të mbetet e rëndë dhe sipas tyre demokracia në vend më shumë lidhet me kulturën politike dhe institucionale që kanë partitë politike në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i organizatës Demokracia Plus, Driton Selmanaj thotë se Kosova përballet me ngecje në demokraci në të gjitha segmentet e jetës. Ai thotë se kjo ngecje po vjen si rezultat i klasës politike dhe shoqërisë në tërësi që sipas tij nuk po mund të shkojnë përpara me nevojat e shtetit.
“Ngecjet më të mëdha janë në përkushtimin e institucioneve për t’i bërë institucionet e fuqishme. Sundimi i ligjit, ne po flasim për 15 vite dhe akoma nuk jemi të gatshëm të flasim për gjyqësor, prokurorë që janë të gatshëm të përballen me problemet kryesore që i ka ky vend. Mendoj që sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës janë elementet bazike që po e dëmtojnë rrugëtimin e mëtutjeshëm për të thënë që Kosova është demokraci e konsoliduar, është një shtet serioz dhe po vazhdon hapa të sigurtë të zhvillimit të vet”, tha ai.
Artan Murati hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës thotë se raporti i Freedom House tregon më së miri se si zhvillohen proceset në Kosovë. Ai numëron disa nga sektorët ku më së shumti ngecë demokracia në vend.
“Problemet prej më të mëdhaja që shihen në Kosovë janë drejtësia, shëndetësia, arsimi dhe disa fusha të tjera pa e përjashtuar edhe sektorin publik dhe institucionet e saj si për shembull parlamenti dhe qeveria”, tha ai.
Organizatat e shoqërisë civile thonë se përmirësimet në demokraci mbeten peng i mungesës së vullnetit politik.
“Në deklarata i dëgjojmë çdo herë edhe udhëheqësit më të lartë të shtetit duke folur për nisma shumë demokratike, duke folur për eliminimin e të gjitha problemeve që i kemi në vend mirëpo në anën tjetër kur i shohim veprimet jo çdo herë përkojnë me deklaratat që jepen. Për këtë arsye duhet të ketë një vazhdimësi edhe në deklarata por njëkohësisht edhe në veprimet që bëhen. Unë do të sugjeroja që të kemi më tepër njerëz që veprojnë në aspekt të përmirësimit të demokracisë në vend se sat ë flasim për demokracinë dhe të mos marrin hapa konkret për të përmirësuar gjendjen”, tha Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës.
“Mendoj që për 15 vite kohë partitë politike më shumë kanë investuar për të krijuar prti të forta politike ndërkohë institucione të dobëta sepse pastaj më lehtë i materializojnë qëllimet e tyre politike. Në vend që të ndodh e kundërta që të kemi institucione të forta ndërkohë që partitë politike të jenë eventualisht edhe nëse kanë ndonjë mangësi brenda organizimit të tyre të mos vërehet shumë. Për kaq shumë vite, ende nuk po e kuptojmë se institucionet janë të rëndësisë së parë, për të investuar shumë dhe për t’i bërë të konsoliduara për të kryer mandatin kushtetues e ligjor”, tha Driton Selmanaj nga Demokracia Plus.
Organizatat e shoqërisë civile thonë se Kosova po miraton ligje të mira që kanë për qëllim mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, por zbatimi i tyre mbetet sfidë. Ata thonë se trendi i zhvillimeve po shkon ngadalë, njejtë sikurse vendet tjera të rajonit. (voa)