Në Maqedoni krijohet një “bllok patriotik” për mbrojtjen e vendit me të gjitha mjetet. Pas këtij fronti të përbashkët qëndrojnë forcat politike!
Përhapja e psikozës së konflikteve është vetëm një fluskë e kotë apo rrezik real në Maqedoni? Opinioni maqedonas pyet: kush qëndron pas të ashtuquajturit “Fronti Patriotik Maqedonas”, ndërsa autoritetet po heshtin. Ministri i Punëve të Brendshme “është në rrugë zyrtare”, ndërsa tw tjerwt nuk pwrgjigjen nw pyetjet e Deutsche Welles.
Mediat qeveritare njoftojnë se “qytetarët po mblidhen vullnetarisht dhe po organizojnë brigadat poullore për mbrojtje me të gjitha mjetet, nëse socialdemorkatët i uzurpojnë institucionet”. Përveç “brigadave popullore” që po themelohen, në Maqedoni janë regjistruar dhe veprojnë edhe rreth 20 të ashtuquajtura shoqata patriotike, të cilat kanë për qëllim “mbrojtjen” e Maqedonisë. Grupi nga 10 anëtarë „Pere Toshev” nga Prilepi ka sulmuar edhe gazetarin Bozhidar Barlakoski dhe e ka quajtur “kopil i shitur”. Ai e ka paraqitur rastin në polici.
Ta bashkuar në një front!
“Pere Toshev” është themeluar me 11 shkurt në Prilep, pas grupeve „Аndon Koseto” në Veles dhe “Todor Aleksandrov” në Bitol. Para banorëve të Bitolit u tha se “qëllimi i tyre është ruajtja e integritetit dhe vlerave të vërteta nacionale maqedonase nga të gjithë ata që punojnë kundër shtetit dhe popullit të Maqedonisë”. Kjo si dhe 23 organizata të tjera paramilitare kanë mbajtur në Veles një takim të përbashkët për unifikimin e forcave, me qëllim “vendosjen e bashkëpunimit strategjik dhe mbrojtjen e interesave vitale nacionale dhe shtetërore në Republikën e Maqedonisë”. Ata janë zotuar se do të veprojnë dhe organizojnë aksione së bashku.
„Populli ka nisur të organizohet vet, sikur në vitin 1903. Të gjithë maqedonasit duhet të angazhohen kundër qendrave dhe strukturave që veprojnë kundër kombit tonë”, thotë Jane Çento, një nga iniciatorët e Frontit Nacional Maqedonas.
24 grupe të ndryshme kanë nënshkruar edhe një platformë të përbashkët ku zotohen se do të angazhohen për interesat vitale të shtetit dhe kombit maqedonas. “Të gjitha forcat patriotike në vend do të luftojnë me të gjitha mjetet dhe metodat e mundshme për mbrojtjen nga ata që duan të rrënojnë Republikën e Maqedonisë”, thuhet në dokument.
Lojal ndaj partisë
Po kush qëndron pas këtyre grupimeve? Bllagoje Markovski, analist ushtarak dhe politik, thotë se këto organizime nuk janë “spontane”, por të përgatitura mirë. “Këto grupe janë paraqitur pas ftestave të VMRO-DPMNE kundër “desorosizimit”, apo për krijimin e grupeve që do të jenë lojale ndaj partisë. Kjo është shumë e rrezikshme dhe cënon përpjekjet e forcave demokratike për të ruajtur rendin shtetëror në Maqedoni. Kam frikë se këto grupe mund të keqpërdoren për të penguar edhe punën e Kuvendit, zgjedhjene kryetarit të Kuvendit dhe të qeverisë së re”, pohon Markovski.
Shenjat se atkivitetet po koordinohen nga një qendër janë paraqitur edhe në një deklaratë të iniciativës “Për Maqedoni Unike”, të botuar në Facebook, ku thuhet: “Duhet të jeni të gatshëm, sepse do të vije koha e fitores përfundimtare”. Një numër i madh i të ashtuquajturave organizata patriotike po merr pjesë edhe në protestat e organizuara nga VMRO-DPMNE. Atyre nuk mund t’ju bësh asgjë, që do të thotë se ata e kanë mbështetjen e ndonjë force politike, thonë analistët. (dw)