Facebook organizon një konferencë globale

fb mesengerKonferenca vjetore F8, ku kompania Facebook mbledh programues nga e gjithë bota, fillon këtë javë në San Jose, të Kalifornisë, në një kohë kur gjigandi i rrjeteve sociale përballet me më shumë konkurencë në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë globin.

Programues nga Brazili, Franca, India dhe Meksika do të mblidhen nesër dhe pasnesër në konferencën F8, për të gjetur mjete dhe parametra të reja për një nga produktet më kryesore të Facebook-ut, rrjetin social Instagram për shpërndarjen e fotove nëpërmjet celularëve, si dhe për WhatsApp, shërbimin e mesazheve të çastit, që Facebook e bleu në vitin 2014.

Facebook pritet të paraqesë opsione të reja për produktet e tij, duke u munduar t’i tërheqë programuesit dhe bizneset drejt shfrytëzimit më të mirë të shërbimeve që ofron. Është një lloj feste teknologjike që drejtuesit e Facebook-ut e shfrytëzojnë për të paraqitur opsionet e reja dhe për të folur për të ardhmen e firmës. Konferenca e ka marrë emrin F8, prej organizimit tradicional të një gare 8-orëshe ndërmjet hakerëve.

Ndërsa pritet që mijëra vetë të mblidhen tek qendra e konferencave në zemër të qytetit San Jose, në mbi 45 qytete të tjera në mbarë botën, programuesit do të mblidhen për të ndjekur fjalimin çelës që do të mbajë nesër në mëngjes drejtori i Facebook, Mark Zuckerberg. Sfida me të cilën përballet Facebook është e dyfishtë: të gjejë përdorues të rinj, si dhe t’u ofrojë atyre më shumë gjëra për të bërë.

Me 1.9 miliardë përdorues, Facebook po përballet me kufijtë natyrorë të rritjes së tij. Facebook ndërlidh tashmë mbi 20% të banorëve të Tokës. Në SHBA, Kanada dhe Evropë, niveli i rritjes ka qenë pothuajse i njëtrajtshëm për disa vite.

Firmat konkuruese si Snapchat, e cila u anëtarësua rishtazi në bursën e aksioneve të disponueshme për publikun, janë popullore në radhët e adoleshentëve dhe personave në të njëzetat.

“Nuk ka më përdorues të rinj të disponueshëm në vendet e maturuara”, thotë Brian Blau, zëvendëspresident i firmës studimore Gartner. Pra, mbetet pjesa tjetër e botës, ku Facebook po rritet me shpejtësi.

Facebook po punon nëpërmjet iniciativës të quajtur internet.org, për të zgjeruar lidhjen globale përmes programeve si Aquila, një dron me energji diellore që ofron lidhje nëpërmjet Wi-Fi, si dhe shërbimin e quajtur Free Basics, që ofron qasjen në faqe interneti dhe shërbime të tjera. Megjithëse kompania thotë se vitin e kaluar ndihmoi të ndërlidhë mbi 40 milionë njerëz në mbarë botën, Facebook nuk ka patur shumë sukses në vende si India.

Një tjetër sfidë për Facebook është t’u ofrojë më shumë shërbime dhe opsione përdoruesve ekzistues të tij, në mënyrë që ata të kalojnë më shumë nga dita e tyre në botën e Facebook dhe rrjedhimisht të shohin më shumë reklama.

Për këtë qëllim, konferenca përfshin sesione për reklamat, lojërat, realitetin virtual dhe realitetin e shtuar.

Zoti Blau thotë se një aspekt tjetër tek i cili mendohet të fokusohet Facebook është që t’u ofrojë programuesve më shumë opsione për shërbimin e tij të mesazheve, Messenger. Ka gjasa që kompania ta lejojë Messenger-in, me mbi 1.2 miliardë përdorues, që të jetë më i pavarur nga vetë Facebook, duke konkuruar kështu sistemet e mëdha globale të mesazheve, si p.sh. Kik, WeChat, Line etj.

Zoti Blau thotë se: “Nëse e mendoni, misioni i Facebook-ut ka qenë gjithnjë për komunitetin, komunikimin, si dhe aktivitetet sociale online. Dhe t’ja ofrosh komunikimin njerëzve që nuk e kanë këtë mundësi, është rruga e duhur.” (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>