Epokë e re në Turqi: Erdogani i merr të gjitha

Sulltan ErdoganPresidenti Erdogan mori gjithçka që deshi, por jo në një fitore plebishitare. Shumë pyetje nuk kanë marrë përgjigje kur AKP nxiton të kremtojë fitoren. Seda Serdar pyet nëse sezoni i votimit kaloi apo vetëm po nis.

Turqia nuk është më në udhëkryq. Një epokë e re ka nisur. Pesëdhjetë e një përqind të qytetarëve turq votuan me “po” në referendum, duke shtruar rrugën për një sistem presidencial alla turka. Duke vepruar në këtë mënyrë, këta votues i pasuan Presidentit Erdogan dhe cilitdo që do ta pasojë atë pushtet të plotë. Megjithatë, duke pasur parasysh sa burime kishte në dispozicion AKP, numri i votave “po” që u dha flet për disa dinamika interesante.

E para, pakti me Devlet Bahceli, lider i Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP) nuk rezultoi aq fitimprurrës sa pati shpresuar Erdogani. Opozita brenda MHP ishte më e fuqishme se u pëlqeu të besonin AKP dhe Bahceliu. A mund të krijohet një parti e re, që do t’i thellonte edhe më shumë çarjet brenda MHP-së së Bahceliut? Sigurisht që kjo nuk mund të përjashtohet. Së dyti, e rëndësishme është që të mos harrohet se referendumi u zhvillua kur në Turqi sundon gjendja e jashtëzakonshme. AKP -ia i kishte të gjitha mjetet dhe avantazhet financiare të qeverisë, plus pushtetin mbi median. Por arriti të marrë vetëm 51 përqind të votave. Dhe nuk duhet të harrojmë që humbi kryeqytetin Ankara, si dhe qytete si Adanaja, Antalaya dhe madje Stambolli, të cilat kanë qenë kështjella të AKP-së në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor 2015 dhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014.

Fitore korrekte apo jo?

Kur po numëroheshin votat, Bordi i Lartë Zgjedhor (YSK) deklaroi se do të numëroheshin edhe fletëvotimet pa vula zyrtare. Kjo, pa dyshim, krijoi shpejt përshtypjen e një manovre jo korrekte.

Opozita do të ndërmarrë gjithçka në pushtetin e saj për ta kontestuar referendumin dhe që votat të rinumërohen, në ato raste ku ajo beson se kanë ndodhur manipulime. Njëkohësisht, video dhe pamje që qarkullojnë në mediat sociale ngrejnë një pyetje të ngjashme. Qeveria duhet t’i marrë seriozisht në konsideratë këto shqetësime, veçanërisht kur rezultati qe kaq i ngushtë dhe kur amendamentet do të kenë një rëndësi thelbësore për të ardhmen e demokracisë në Turqi. Megjithatë, për AKP-në, e vetmja gjë që kishte rëndësi dukej se qe fakti që arritën të marrin në shumicë votat “po”.

Votime të reja në horizont

Megjithëse udhëheqësit e AKP-së kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur se sistemi i ri do të hyjë në fuqi në vitin 2019, që tani po qarkullojnë fjalë për zgjedhje të parakohshme. Pse të presim për ta zbatuar vullnetin e popullit? Ky argument ka kohë që është shprehur dhe Erdogani nuk dëshiron të humbasë më shumë kohë përpara se të jetë ribashkuar sërish zyrtarisht me partinë e tij. Kjo do të thotë se sezoni i zgjedhjeve ka shumë gjasa që të jetë në prag.

Megjithëse një person fitoi fuqi të konsiderueshme si rezultat i referendumit, gati gjysma e popullit votoi kundër kësaj. Me fjalë të tjera, Presidenti Erdogan përballet me një shoqëri tepër të polarizuar. Fjalimi i unitetit që mbajti në mbrëmjen e referendumit është tepër larg një fillimi për të bashkuar çarjet e thella të shkaktuara në vite. Erdogani në fakt ka shumë çështje në tryezë: Sirinë, marrëdhënien delikate me aleatët e Turqisë, çështjen e refugjatëve dhe çështjen kurde, po të përmendim vetëm disa prej këtyre çështjeve. Në vend që të fokusohet në këto çështje të nxehta, duket se ai do të preferonte të stabilizonte me shpejtësi pushtetin e sapofituar. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>