Astronautja amerikane Peggy Whitson theu rekordin të hënën për kohën më të gjatë që një amerikan ka kaluar në orbitë.
Komandantja Whitson, që ndodhet në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, u përshëndet nga presidenti Donald Trump që komunikoi me astronautët e stacionit, me një lidhje me video.
“534 ditë dhe shumë të tjera më pas. Është një rekord i jashtëzakonshëm. Në emër të vendit, madje në emër të botës, do të doja t’ju uroja”, tha Presidenti Trump nga Zyra Ovale.
57 vjeçarja Whitson është astronautja femër më me përvojë amerikane. Ajo do të kthehet në tokë në shtator dhe në atë kohë do të ketë mbushur 666 ditë në hapësirë gjatë tre fluturimeve në hapësirë.
“Është një privilegj i madh që thyej këtë rekord”, i tha ajo Presidentit Trump.
Ata diskuktuan gjithashtu për mundësinë e udhëtimeve të tjera në hapësirë, përfshirë në Mars, që NASA ka thënë se do që ta realizojë një gjë të tillë deri në vitin 2030. Megjithatë, zoti Trump tha se donte ta realizonte një gjë të tillë më parë, duke i thënë astronautes Whitson se donte që të mundësohej udhëtimi në Mars, “më e largëta, gjatë mandatit të tij të dytë”.
Zoti Trump foli gjithashtu me astronautin Jack Fischer, që mbërrriti në stacionin e hapësirës për here të parë javën e kaluar.
Presidenti Trump, që ishte me vajzën e tij Ivanka Trump, tha se ndjehej i nderuar që po fliste me astronautët.
“Jam marrë kaq shumë me politikanët. Këta njerëz (astronautët) janë shumë më mbresëlënës”, tha ai. (voa)