Përshkallëzimin e situatës në Maqedoni është duke e ndjekur me shqetësim edhe Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, e cila ka dënuar përdorimin e dhunës në ambientet e Kuvendit, veçanërisht sulmin ndaj disa prej deputetëve.
“Përplasje dhe skena të tilla dhune kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë janë të papranueshme dhe aspak të denja për një demokraci parlamentare. Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar”, shkruhet në deklaratën e MPJ-së.
Diplomacia shqiptare u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në Maqedoni të tregojnë vetëpërmbajtje, të mos përdorin retorika nxitëse që mund të përkeqësojnë situatën dhe të angazhohen me qetësi e gjakftohtësi në një dialog të qenësishëm.
“Gjithashtu u bëjmë thirrje forcave të rendit të angazhohen në ruajtjen e rendit publik dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre. Qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve, në të mirën e tyre të përbashkët, të bashkejetesës e harmonisë ndëretnike, si dhe të përparimit euroatlantik të vendit”, thuhet më tej në komunikatë.
Në fund, MPJ mbështet thirrjen e ambasadoreve të vendeve të BE-së dhe të SHBA-ve për të shmangur dhunën dhe për të nisur një dialog të qenësishëm politik në Maqedoni.
/ Top Channel