Ndjekje penale deputetit të LSI-së për blerje vote

ndekje penaleNë Shqipëri një deputet i partisë Lëvizja socialiste për Integrim Gledjon Rehovica dhe drejtori i Spitalit Rajonal të Beratit Idlir Frashëri janë vënë në ndjekje penale nga policia pasi dyshohet të jenë përfshirë në blerje votash në favor të LSI-së. Sipas njoftimit të policisë, hetimi ndaj tyre ka nisur pas një denoncimi, dhe ata dyshohet të kenë konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit aktive në zgjedhje” dhe “Përdorimi i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore”, vepra penale të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/a të Kodit Penal. Policia bëri të ditur se materialet për këtë rast i janë përcjellë Prokurorisë.

Ky është rasti i parë i zyrtarëve të vënë në ndjekje penale për tentativë për blerjen e votës ndërkohë që një numër i konsiderueshëm funksionarësh të tjerë janë pezulluar nga detyra për përfshirje në fushatë zgjedhore në shkelje të ligjit. Me anë të një vendimi të Këshillit të ministrave është ngritur dhe një Task-Forcë e posaçme si dhe janë përcaktuar masat për monitorimn e sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare e logjistike të administratës shtetërore gjatë procesit zgjedhor të 25 qershorit.

Mbrëmë kryetari i LSI-së Petrit Vasili ju drejtua me një letër krerëve të shtetit duke kritikuar vendimarrjen e cila sipas tij nuk ka qenë pjesë e asnjë mbledhjeje të Qeverisë “dhe është e patolerueshme që ai i referohet një mbledhje e cila nuk ka ndodhur. Një vendim kaq i rëndësishëm nuk i është nënshtruar asnjë debati qeveritar dhe mundësisë së shprehjes se opinioneve nga Ministrat, por është hartuar e miratuar në mënyrë tërësisht të njëanshme, ku specifikoj anëtarët e Kabinetit Qeveritar përfaqësues të LSI-së, kanë qënë jashtë diskutimit dhe janë vënë para faktit të kiyer, duke u çuar një vendim qarkullues, të cilit nuk i njihen as autorët dhe as ata që kanë dhënë opinionet”, shkruan zoti Vasili.

Sipas tij “një mënyrë e tillë, okulte e funksionimit të qeverisë, ku përgjegjësia bie mbi kryeministrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, hedh hije të forta dyshimi në një moment ku vetëm transparenca, komunikimi i hapur dhe përfshirja e të gjithë aktorëve, janë ato që zgjedhjet e lira e të ndershme presin në Shqipëri”. Për kryetarin e LSI-së “fatkeqësisht marrëveshja politike e 18 Majit, në vend të qartësisë e ndershmërisë, prodhoi një komunikim të njëanshëm, të mbyllur dhe të errët”.

Në fakt marrëveshja e arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha u interpretua gjerësisht si një përpjekje për të goditur partitë e vogla e veçanërisht LSI-në, ndaj së cilës nuk mungojnë sulmet e përditshme si nga ana e socialistëve ashtu dhe nga Partia demokratike. Një pjesë e mirë e të pezulluarve të ditëve të fundit i përkasin pikërisht LSI-së. Javën e shkuar u shkarkua nga detyra drejtori i Përgjithshëm i Postave Majlind Lazimi, si dhe një drejtoreshë rajonale. LSI-ja foli për një hakmarrje politike, ndërsa zoti Lazimi dje bëri kallzim në prokurori ndaj ministres së Ekonomisë Milva Ekonomi që kishte firmosur shkarkimin, të cilin ai e ka cilësuar si “tërësisht të paligjshëm”.

LSI-ja e cila është konsideruar si vendimtare për përcaktimin e pushteteve, pas 4 vitesh në qeveri me demokratët dhe 4 të tjerave më pas me socialistët, duket se është gjendur e papërgatitur për situatën e krijuar, ku dy partitë e mëdha e kanë vënë në qendër të sulmeve. Pikërisht kjo duket të jetë dhe arsyeja që udhëheqësi dhe themeluesi i saj Ilir Meta, ka zbritur në fushatë, pavarësisht se në momentin e zgjedhjes si president kishte deklaruar se nuk do të përfshihej. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>