Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i shoqëruar nga disa anëtarë të kabinetit të tij, ishte të hënën në Bruksel për takime me zyrtarë të lartë të BE-së dhe NATO-s.
Zoti Zaev tha se qeveria e tij synon ta çojë vendin drejt integrimeve evropiane, ndërsa theksoi pritshmërinë për ndihmën e të gjithë aktorëve, siç tha, për realizimin e këtij procesi.
Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn tha se për Maqedoninë është me rëndësi që t’u përkushtohet reformave të shpejta dhe të tregojë përparim në këtë proces. Komisioneri Evropian theksoi domosdoshmërinë për zgjidhjen e problemit të emrit të Maqedonisë, që kontestohet nga Greqia fqinje.
“Duhet të gjendet një zgjidhje e përbashkët. Nëse palët i qasen me logjikë të shëndoshë dhe vullnet të mirë – mund të arrihet zgjidhje për çfarëdo çështje”, tha zoti Hahn.
Ndërkaq, Zaev tha se Greqia mund të jetë një vend mik i cili mund ta ndihmojë Maqedoninë për intregrimin e saj në Bashkimin Evropian.
Zoti Zaev është pritur edhe nga shefja për politikë të jashtme, Federcia Mogherini, ndërsa do të ketë takim edhe në selinë e NATO-s me Sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.
Ministri i Jashtëm maqedonas Nikolla Dimitrov i ka thënë gazetës Financial Times se Maqedonia është duke e menduar variantin për të hyrë në Aleancën Veriatlantike me referencën e përkohshme FYROM. Por, sipas të gjitha gjasave, Brukseli është i vendosur që së pari të arrihet një kompromis rreth çështjes së emrit.
Maqedonia ka marrë statusin e “vendit kandidat për anëtarësim në BE” qysh në dhjetor të vitit 2005, por që prej atëherë nuk ka shënuar ndonjë përparim në rrugën e integrimit.
Qeveria e re në Shkup pret që të paktën brenda disa muajsh të hapet kapitulli i bisedimeve me Bashkimin Evropian për integrimin e vendit. Zaev ka shpresa të mëdha se kjo gjë mund të ndodhë në janar të vitit 2018 nën kryesimin e BE-së nga Bullgaria fqinje, me kryeministrin e së cilës, Bojko Borisov ai ka raporte mjaft të mira.
Në lidhje me synimet integruese të Maqedonisë janë takuar të dielën vonë në Tetovë edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti dhe ai i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, të cilët kanë rënë dakord që të mbështeten reformat dhe ligjet në parlament që kanë të bëjnë me përparimin e vendit drejt BE-së dhe NATO-s. (voa)