Në Shqipëri Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë denoncim në Prokurori ndaj kryeministrit Edi Rama për deklarimet e tij gjatë një mitingu për angazhimin e punonjësve të policisë në favor të Partisë socialiste
Gjatë një aktiviteti elektoral më 16 qershor në Kuçovë zoti Rama i bëri thirrje punonjësve të policisë që në momentin që lënë uniformën, pas punës, të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për Partinë Socialiste. Deklarata e tij u pasua me reagime të shumta dhe një ditë më pas zoti Rama tha se deklarata e tij ishte keqkuptuar e kërkoi ndjesë.
Por në një letër drejtuar autoriteteve më të larta në vend dhe trupit diplomatik, LSI thekson se kjo ngjarje dhe kjo veprimtari e Kryeministrit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe gjithë ligjet dhe se këto thirrje tregojnë se ai ka konsumuar njëherazi elementë të veprave penale e për këtë arsye ndaj tij duhet të nisin hetimet. LSI gjithashtu vlerëson të nevojshme që për këtë çështje, Presidenti duhet të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Denoncimi i LSI-së ndaj kryeministrit Rama vjen ndërsa tensionet mes dy partive janë në rritje, dhe marrëdhëniet e tyre sikur të mos kishin qeverisur për 4 vjet së bashku (voa)