Maqedoni, qeveria ribalancon buxhetin

qeveria RMQeveria e Maqedonisë ka bërë ribalancimin e buxhetit, duke shkurtuar fonde për vete dhe duke i alokuar ato për nevoja themelore të qytetarëve. Parlamenti pritet pas pak javësh ta miratojë ribalancimin e buxhetit. Ndërkohë, ekspertët thonë se qeverisë do t’i duhet të hyjë në borxhe të reja për shpenzimet e domosdoshme dhe për ruajtjen e qëndrueshmërisë ekonomike.

Qeveria e Maqedonisë ka bërë mjaft shkurtime të buxhetit që kishte planifikuar qeveria e kaluar. Kryeministri Zoran Zaev u tha mjeteve të informimit se me ribalancin e buxhetit një përqindje e madhe e shpenzimeve joproduktive për reklamim, udhëtime e të tjera janë alokuar për nevojat themelore të qytetarëve.

Qeveria e re ka zbuluar se janë rreth 400 milione euro borxh i brendshëm që është fshehur nga pushteti i kaluar. Por shifra pritet të rritet edhe më tej, ndërsa 23 milionë euro, sipas zotit Zaev janë borxhe të fshehura për fatura të energjisë elektrike të institucioneve shtetërore, si dhe disa miliona të tjerë për fatura të tjera.

Një gjë që krijon një lloj pasigurie në çështjen e projektimit të buxheteve është padyshim çështja e censusit, që në Maqedoni nuk është realizuar që ga viti 2002.

Kryeministri Zaev thotë se do të angazhohet që censusi të bëhet brenda dy viteve të ardhshëm. “Kjo do të ndihmonte për projektime të ndryshme sociale, siç është ndihma për fëmijët pa përkujdesje”, thotë zoti Zaev.

Ndërkaq, ekspertët vlerësojnë se qeverisë do t’i duhet të hyjë në borxhe të reja për të ruajtur qëndrueshmërinë ekonomike dhe sociale.

Qeveria e Maqedonisë me ribalancin e buxhetit parashikon vazhdimin e ndërtimit të infrasrtukturës rrugore, përkatësisht autostradat e filluara Kërçovë – Ohër dhe Milladinovc-Shtip.

Nga ana tjetër, do të ndërpriten reklamat në rrjetin televiziv CNN për çka qeveria e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski kishte lidhur kontratë prej 950 mijë eurosh. Poashtu do të shkurtohen financimet për organizatat joqeveritare, për një pjesë të të cilave qeveria e kaluar ishte treguar mjaft bujare.

Sipas pritjeve, parlamenti i vendit dpas tre javësh do ta miratojë ribalancin e buxhetit. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>