Enti Shtetëror i Statistikave, një burim i fuqishëm i shifrave dhe të dhënave shtetërore vazhdon të jetë i mbyllur me shumë të panjohura për shqiptarët, njofton agjencia e lajmeve INA.
Deri tani edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, nuk është arritur askund …… përfaqësimi dhe pozicionimi i shqiptarëve në poste kyçe vendimmarrëse në këtë institucion, të cilit nuk i është kushtuar edhe rëndësi e madhe.
Njohësit e zhvillime politike në vend si dhe organizatat jo qeveritare kërkojnë që të bëhet ndërhyrje në këtë institucion dhe të merret parasysh roli i kuadrit shqiptar në tetë sektorët që janë dhe që vazhdimisht janë një makineri që nxjerrin shifra për trendet shoqërore, ekonomike dhe të sferave të ndryshme në vend.
Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë shqiptarë në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani thotë se, derisa shqiptarët merren me plehrat dhe me drejtoritë, ndokush është duke na e qepur kapelën, ( gjithnjë më të ngushtë).
“Partite politike turren pas drejtorive ku ka leke, dhe, askush nuk e permend Entin Republikan te Statistikave ku gatuhet çorba qe ne duhet ta hamë dhjete vjete bile edhe me shume me radhe. Nga 14 drejtori dhe sektore, sa ka Enti republikan i statistikave, shqiptaret nuk udheheqin pothuajse me asnje. Ne nuk kemi asnje kontroll per statistikat, te cilat jane gjithçka per nje popull sikurse qe jemi ne. Deri kur do ta mbajme si zgjebe ate termin poshterrues ,, njezet perqindesh” kur jemi mbi 50 perqind dhe ne jemi ne ata qe do te duhej te vendosnim a duhet te egzistoje apo jo ky shtet”, thekson Pollozhani.
Ai shpreh shqetësimin edhe për diasporën shqiptare.
“Në regjistrimin e ardhshëm te popullsise (2020), si do te regjistrohen 400.000 maqedonas, te cilet kane shtetesi bullgare, sipas ligjit aktual duhet te trajtohen si jorezident, dhe te cilët punojne neper bote? A do te regjistrohen vallë edhe ata si jorezident sikurse qe u regjistruan mbi 250.000 shqiptare, te cilet edhe pse kane prona dhe i paguajne te gjitha taksat dhe tatimet ne vend, nuk munden te votojne si qytetaret e rregulltë?”, thekson ai.
Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropian bënë thirrje që t`i kushtohet kujdes këtij institucioni.
“Enti i Statistikave është i rëndësishëm dhe doemos duhet të kemi shqiptarë në të gjitha nivelet vendimarrëse. Ne nuk jemi aspak të kënaqur me punën e deritanishme të këtij institucioni republikan. Edhe më herët ka pasur dyshime të forta për manipulime si me numrat e popullsisë shqiptare ashtu edhe me numrin e votuesve. Për këto arsye apelojmë deri te politika shqiptare që të ushtrojë trysninë dhe presionin e duhur në mënyrë që të evitohet kjo situatë absurde dhe e padurueshme”, thuhet në reagimin e OBRIE.
Edhe zëra ndërkombëtarë në Shkup e kanë vlerësuar si problematik këtë institucion që përkujdeset për shifrat shtetërore, por ata kanë kërkuar që përgjegjësit të kërkohen nga ana institucionale, përmes subjekteve politike shqiptare.
Studiuesit dhe demografët shqiptarë nuk përjashtojnë mundësinë për krijimin e opinionit manipulues dhe skenarët për uljen e përqindjes së shqiptarëve në Maqedoni, para regjistrimit të ardhshëm zyrtar të popullsisë.
Sipas regjistrimeve të vitit 1994, 23 për qind e popullsisë ishte shqiptare, ndërkohë që nga regjistrimi i vitit 2002, numri i shqiptarëve u rrit edhe me 68 mijë, diku 25 për qind.
Regjistrimet e ardhshme pritet të japin pasqyrën e qartë për përqindjen e shqiptarëve në vend.(INA)