Maqedoni, opozita propozon 1 mijë amendamente për buxhetin

GruevskiOpozita maqedonase ka propozuar një mijë amendamente ndaj propozimit të qeverisë për rishikimin e buxhetit. Kjo do të thotë se seancat e komisionit përkatës parlamentar dhe seanca plenare nuk do të mund të përmbyllnin në asnjë mënyrë debatet për ribalancin e buxhetit.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare janë ndarë në dhjetë grupe dhe secili nga kryetarët e grupeve ka të drejtë për ndërhyrje procedurale, fjalime dhe replika në parlament.

Partia ka praktikuar këto ditë me tepër replika ndaj vetë ligjvënësve të saj se sa ndaj partive rivale në parlament. Megjithatë, qeveria pret që ribalancimi të miratohet deri para 2 gushtit, ashtu siç parashikohet me ligj.

Ribalancimi i buxhetit parasheh shkurtime të buxhetit për qeverinë që kishte planifikuar qeveria e kaluar dhe alokimin e fondeve për nevojat themelore të qytetarëve. Është planifikuar shkurtimi për 47 milionë euro nga buxheti shtetëror.

Ndërkohë, gjatë një seance të mbrëmshme, ligjvënësit opozitarë i rekomanduan qeverisë së zotit Zaev që t’i përfundojë projektet e qeverisë së mëparshme dhe të ndjekë hapat e saj në zhvillimin e vendit.

VMRO-ja me mburrje theksoi shkallën e lartë, sipas deputetëve të saj, të eksportit të mallrave maqedonase, ndërsa pret nga qeveria që t’i vazhdojë marrëveshjet dhe bisedimet e filluara për investime të huaja.

Shkurtimet më të mëdha në rishikimin e buxhetit janë parashikuar në fondet për Ministrinë e Brendshme, për çka një pjesë e kritikëve kanë kundërshtuar politikat e qeverisë për shkak të gjendjes së brishtë të sigurisë në vend, sipas tyre, ndërkohë që “kriza e refugjatëve nga Lindja e Mesme nuk ka marrë fund dhe kufiri jugor i Maqedonisë mund të rrezikohet sërish”.

Qeveria e re ka zbuluar se janë rreth 400 milionë euro borxh i brendshëm që është fshehur nga pushteti i kaluar. Por shifra ka gjasa të rritet edhe më tej, ndërsa 23 milionë euro, siç ka bërë të ditur kryeministri Zoran Zaev, janë borxhe të fshehura për fatura të energjisë elektrike të institucioneve shtetërore, si dhe disa miliona të tjerë për fatura të tjera.

Nga ana tjetër, ekspertët vlerësojnë se qeverisë do t’i duhet të hyjë në borxhe të reja për të ruajtur qëndrueshmërinë ekonomike dhe sociale. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>