Tubim i lëvizjes për bojkotin e garës Basha – Selami

PatoziGrupi i nismëtarëve të një lëvizje politike brenda partisë demokratike zhvilluan në mbrëmje një takim të gjerë publik me qindra përkrahës, duke bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të të shtunës për postin e kryetarit të kësaj partie.

Besnik Mustafaj, një nga themeluesit e PD-së, tha para auditorit se ai nuk do të marrë pjesë në votimet e të shtunës, sepse nuk dëshironte të bëhej pjesë e një gare farsë midis konkuurentëve Lulzim Basha dhe Eduard Selami. Ai tha se zhvillimet e të shtunës do ta futin këtë lëvizje brenda PD-së në një etapë të re.

“Me marrëveshjen me Edi Ramën, Basha nuk shkatërroi vetëm PD-në por gjithë të djathtën shqiptare – tha zoti Mustafaj. – Duke i kërkuar dhe imponuar PD-së zgjedhje të lira e të drejta, garë të ndershme e transparente, kthimin e saj në një hapësirë lirie dhe debati, lëvizja jonë do të sjellë ringritjen e të djathtës shqiptare dhe këtë nuk mund tja mohojë as Rama as Basha”.

Një tjetër pjesëtar i kësaj lëvizje, Astrit Patozi, tha në tubim se ata po përpiqen ta shërojnë Partinë Demokratike nga garat farse, sepse ajo ka nevojë për garë të drejtë dhe jo për farsa.

Ai u bëri thirrje demokratëve që të refuzojnë garën e 22 korrikut Basha – Selami, sepse ato nuk janë zgjedhjet e tyre, zgjidhja e hallit të Bashës për të mbajtur karrigen e kryetarit.

“Humbja dërrmuese e Bashës më 25 qershor dhe fitorja e pamerituar e Ramës u ka ulur kokën demokratëve. Nëse 22 korriku nuk do të ndalet, asgjë nuk do të jetë më si më parë. Ne nuk mund të bëhemi pjesë e një maskarade që synon rrëmbimin në mes të ditës të mandatit të kryetarit të PD-së” – tha zoti Patozi.

Tubimi i zhvilluar në Tiranë ishte i fundit pas një serie takimesh në rrethe dhe një ditë para zgjedhjeve në partinë demokratike për postin e kryetarit. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>