Kosto e lartë e përmbytjeve në Teksas

HjustonNë Teksas, përpjekjet e rindërtimit në zonat e shkatërruara nga erërat dhe përmbytjet e uraganit Harvey përballen me kosto më të larta dhe disa vonesa për shkak se industria e ndërtimit ka mungesë kritike të punëtorëve të kualifikuar. Vonesat e rindërtimit iu shtohen dëmeve të tjera ekonomike të shkaktuara nga mbyllja e aeroporteve, porteve, dyqaneve të shitjeve me pakicë dhe impianteve të industrisë së naftës.

Punonjësit e shpëtimit kanë kërkuar për viktima të përmbytjeve, mes mijëra telefonatave që kanë marrë për ndihmë dhe nivelit të ujit që vazhdon të rritet, duke dëmtuar shtëpitë, bizneset dhe infrastrukturën.

Puna masive për rindërtimin e Hjustonit dhe zonave të tjera të goditura nga Harvey do të kushtojë më shumë dhe do të marrë më tepër kohë pasi zona ka patur edhe më parë një mungesë të punëtorëve të kualifikuar të ndërtimit si marangozë, muratorë dhe menaxhues të projekteve.

Shoqata e Kontraktorëve të Amerikës thotë se mungesa e punëtorëve ka prekur 70 për qind të kompanive anëtare të saj. Ken Simonson është ekonomist i lartë i shoqatës:

“Në shumë raste, kjo do të përkthehet në vonesa. Do të marrë më shumë kohë pasi kompanitë që punësojnë nënkontraktorë thonë ‘Do ta bëjmë këtë punë pasi të kemi mbaruar një tjetër’”.

Zoti Simonson thotë se punët në ndërtim janë bërë më të sofistikuara me përdorimin e mjeteve të teknologjisë së lartë si GPS dhe rrezet lazer. Shoqata e tij po u bën thirrje shkollave të ofrojnë më shumë klasa për të rritur aftësitë në ndërtim.

Stuhia ka shkaktuar dëme të mëdha ndaj pikave të rëndësishme të ekonomisë por një ekspert i Universitetit ‘Cornell’ thotë se mjetet ekonomike nuk e masin siç duhet ndikimin e stuhisë, pasi i llogarisin përpjekjet e rindërtimit si një rritje ekonomike, duke lënë mënjanë kostot e humbjeve:

“Pra për ta llogaritur siç duhet, duhet të dish vlerën e të gjitha shtëpive, makinerive, ndërtesave, rrugëve. Për të qënë i drejtë, ne vërtetë nuk do ta dimë dëmin derisa të dime koston e rindërtimit.”

Infrastruktura e naftës është jetike për ekonominë dhe zoti Kyle thotë se gjithçka është dëmtuar do të rindërtohet me shpejtësi pasi kompanitë kanë nevojë për të ardhura nga impiantet e tyre. Ndërprerjet që vazhdojnë, pritet të risin çmimet e naftës në Shtetet e Bashkuara me deri në gjashtë cent e gjysmë për litër për një farë kohe.

Hjustoni është porti i pestë më i madh për mallrat në Shtetet e Bashkuara. Sipas firmës analitike Panjiva, stuhia ka vonuar përpunimin e mijëra kontenierëve që lëvizin përmes Hjustonit çdo ditë, me pjesë makinash dhe mallrat ë tjera. Dërgesat e naftës gjithashtu janë bllokuar.

Në kohë normale, aeroportet e Hjustonit kanë 1,600 apo më shumë fluturime në ditë, por për momentin janë të mbylluara. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>