Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi sot se Turqia po largohet me shpejtësi nga rruga e sundimit të ligjit dhe premtoi të shtyjë partnerët e Bashkimit Evropianë të shqyrtojnë mundësinë e pezullimit apo ndërprerjes së bisedimeve të anëtarësimit. Këto komente vijnë pas thellimit të retorikës së saj të dielën, në një debat televiziv me rivalin e saj socialdemokrat Martin Schulz.
Më pak se tre javë para zgjedhjeve, kancelarja gjermane shprehu zhgënjimin e saj me Turqinë dhe tha se Bashkimi Evropian duhet të rishqyrtojë marrëdhëniet me Ankaranë.
“Turqia po largohet nga rruga e sundimit të ligjit me shumë shpejtësi”, tha kancelarja Merkel, në një fjalim sot para dhomës së ulët të parlamentit, duke shtuar se qeveria e saj do të bëjë çdo gjë të mundur për lirimin e qytetarëve gjermanë të ndaluar nga Turqia, që Berlini i sheh si të pafajshëm.
Zonja Merkel tha se zhvillimet kërkojnë një rishikim të marrëdhënieve të Gjermanisë dhe BE-së me Turqinë.
“Ne do të sugjerojmë gjithashtu në takimin e BE-së në tetor – për të diskutuar mbi marrëdhëniet e ardhshme me Turqinë, përfshi pyetjen për pezullimin apo ndalimin e bisedimeve të anëtarësimit”.
Kancelarja Merkel tha se do të kërkojë një qëndrim të bashkuar mes vendeve anëtare të BE-së duke shtuar se do të ishte dëmtuese për Bashkimin Evropian në se Erdogani do t’i shihte vendet anëtare të përfshiheshin në debat. Kjo do të dobësonte dramatikisht pozicionin e Evropës, tha kancelarja.
Këto komente, vijnë pas thellimit të retorikës në një debat televiziv të dielën, me rivalin e saj social-demokrat në zgjedhje, ku kancelarja bëri një deklaratë të guximshme duke thënë se Turqia nuk duhet të bëhet anëtare e BE-së. Deklarata nxiti akuzat për populizëm nga Ankaraja.
“Nuk e di nëse debati ishte rreth zgjedhjeve në Gjermani apo ishte për Turqinë…. mendoj se qytetarët gjermanë duan të dëgjojnë më shumë rreth çështjeve dhe problemeve të brendshme. Ky është problem për disa vende të BE-së dhe populizmi është shumë i lartë”, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.
Fërkimet mes Gjermanisë dhe Turqisë janë më të fundit pas një serie acarimesh mes kancelares Merkel dhe presidentit turk Tayyip Erdogan gjatë dy viteve të fundit. (voa)