Komisioneri Europian i zgjerimit dhe politikave të fqinjësisë së mirë, Johannes Hahn viziton sot Serbinë ku do të takohet me drejtues më të lartë shtetëror, përfshirë presidentin serb, Aleksandar Vuçiç e kryeministren Ana Brnabic.
Temë qëndrore e bisedimeve të zyrtarit të lartë europian në Beograd pritet të jetë Kosova, gjendja në Ballkanin Perëndimor si dhe avancimi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE, me fokus të veçantë në kapitujt 23 dhe 24, të cilët kanë të bëjnë me të drejtat e jeriut dhe ndërtimin e shtetit ligjor.
Komisioneri e ka bërë të qartë se do ta nxisë Beogradin të përfitojë plotësisht nga prespektiva europiane, të implementojë reformat e sundimin e ligjit e të normalizojë marrëdhëniet me Prishtinën. Tani që në Kosovë është zgjedhur qeveria e re, Brukseli shpreson që negociatat të hyjnë sërish në brazdë pas një periudhë të gjatë paqartësish.
Ramush Haradinaj mori të hënën zyrtarisht detyrën nga paraardhësi i tij, Isa Mustafa, i cili nuk përfundoi mandatin e plotë katër vjeçar si kryeministër i Kosovës. Në një prononcim për gazetën serbe “Vecernje Novosti”, Hahn e vlerësoi iniciativën e Vuçiç për fillimin e dialogut të brendshëm për Kosovën duke e përshkruar si një “lëvizje të guximshme dhe të mirëpritur”.
Ai nënvizoi sërish se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë- Serbi mbetet pjesë kyçe e negociatave për anëtarësimin e Beogradit në BE duke qënë se kontribuon në ruajtjen e paqes dhe anëtarësimin e Beogradit në BE, duke qënë se kontribuon në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe garanton mbrojtje të të drejtave të të gjithë qytetarëve.
/ Top Channel