Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko priti këtë të enjte në Tiranë drejtorin e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit pranë Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike, ambasadorin Raymund Furrer.
Gjatë takimit guvernatori Sejko falenderoi qeverinë zvicerane për asistencën që i ka ofruar Bankës së Shqipërisë si në procesin kërkimor, ashtu dhe në atë të vendimmarrjes, duke zhvilluar modelet e analizës dhe të parashikimit, përmes implementimit të modeleve të reja të politikëbërjes.
Guvernatori bëri një ekspoze të situatës së ekonomisë dhe financave shqiptare, nënvizoi trendin pozitiv të zhvillimit të vendit dhe theksoi rëndësinë e reformave të mëtejshme për të përmirësuar modelin e zhvillimit të vendit.
Nga ana e tij, përfaqësuesi zviceran njoftoi kreun e BSH se Parlamenti i vendit të tij ka miratuar fondin për vazhdimin e programit të mbështetjes së bankave qendrore dhe se Shqipëria do të vazhdojë të jetë pjesë e programit.
/ Top Channel