Shkup: Konferencë për reformat ligjore në Ballkan

Konferenca reformat shkupSot në Shkup u mbajt një konferencë me ekspertë nga Brukseli dhe vende të rajonit lidhur me reformat ligjore të shteteve të Ballkanit, që paraqesin kusht për afrimin e tyre në strukturat e Bashkimit Evropian. Maqedonia, pas një krize të gjatë politike, ka nisur miratimin e këtyre reformave por procesi pritet të jetë mjaft i vështirë për shkak se një sërë ligjesh kërkojnë dy të tretat e votave në parlament.
Ekspertë ligjorë, analistë e përfaqësues të shoqërisë civile debatuan në Shkup në lidhje me sundimin e ligjit dhe reflektimin në fushat e të drejtave të njeriut, sigurisë dhe ekonomisë. Konferenca e organizuar nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane nga Brukseli dhe Qendra për Analiza Ekonomike nga Shkupi solli opinione mbi këto çështje me theks të veçantë në Ballkanin perëndimor.
Margarita Caca Nikollovska, e cila ka qenë gjykatëse në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg vëren se opozita maqedonase ka një qasje joserioze ndaj reformave ligjore; Duhet të vetëdijësohet opozita lidhur me reformat gjyqësore dhe të mos bllokojë realizimin e tyre., thotë ajo.
“Ne e kemi bërë strategjinë por çështja është se sa mund të realizohet ajo, sepse problemi është tek ndryshimet kushtetuese dhe njëkohësisht ligji për gjykatat, për çka duhen 2/3 e votave”, thotë zonja Nikollovska.
Profesori Blerim Reka vlerëson se Brukseli shpresh i ka mbyllur sytë para aferave korruptive në vendet e Ballkanit, ndërsa propozon një lloj tribunali që do të merrej me përndjekjen e elitave shtetërore të korruptuara.
“Është koha që BE të mendojë për një proces të ri, atë të demokratizimit të Ballkanit; Mendoj që në këtë kohë, nga faza post-konfliktuale Ballkani perëndimor të ndihmohet në fazën post-korruptive sepse një nga vlerësimet e përgjithshme të Komisionit Evropian në çdo raport të progresit është kapja e shtetit, korrupsioni endemik, mungesa e sundimit të ligjit dhe gjyqësori jo i pavarur. Elitat shtetërore të korruptuara në Ballkan rrezikojnë jo vetëm shtetet e tyre por edhe rajonin. Siria dhe Rusia nuk janë larg dhe është koha e fundit që në Ballkan të inaugurohet një proces i vërtetë i sundimit të ligjit duke u hetuar të gjitha elitat shtetërore korruptive. Në këtë drejtim, propozoj ngritjen e një tribunali ndërkombëtar antikorrupsional për Ballkanin, diçka e ngjashme me Tribunalin e Hagës, sepse dy dekada pas përfundimit të luftërave në Ballkan në vend të ndjekjes së kriminelëve të luftës duhet të fillojë ndjekja e peshqëve të mëdhenjë korruptiv” shprehet z. Reka.
Ministri i Financave Dragan Tevdovski thotë se qeveria e re çështjet i sheshon në debate të hapura para se të sjellë ligje të rëndësishme, ndërsa shton se ligjet duhet të vlejnë njësoj për të gjithë.
“Nëse duam investitorë nga BE dhe Amerika, duhet të kemi rregulla që vlejnë njësoj për të gjithë”, thotë ministri.
Marjan Nikollov nga Qendra për Analiza Ekonomike, duke folur për gjendjen në qeverinë e Maqedonisë për sa i përket interesave të bizneseve thotë se nëse komuniteti i biznesit dëshiron të ketë përfaqësues në qeveri, atëherë shtrohet pyetja se kë përfaqëson qeveria. Sundimi i ligjit nuk bëhet me forcë, thotë ai.
“Kur flitet vetëm zhvillimin e ekonomisë për rritjen ekonomike të prodhimit të brendshëm bruto, nuk mjafton përderisa nuk përfshini në analizën e tillë intelektuale edhe institucionet, besueshmërinë e tyre dhe sundimin e ligjit”, thotë analisti.
Qeveria e Maqedonisë është duke punuar në reformat e paketës së quajtur 3/6/9 që parasheh realizime brenda 3, 6 dhe nëntë muajve të një sërë ligjesh që i kërkon Bashkimi Evropian, si kusht për afrimin e vendit drejt kësaj organizate.
Maqedonia shpreson se nga fillimi i vitit të ardhshëm kur me BE-në do të kryesojë Bullgaria, të marrë një datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>