Imigrantët mbushin nevojat e Italisë për bletërritës

bletetGrupet e ndihmave kanë kritikuar përpjekjet e udhëheqësve evropianë për të ndalur refugjatët nga Afrika nënsahariane, duke argumentuar se ekonomia evropiane ka nevojë për më shumë punëtorë. Një organizatë joqeveritare në Itali është përpjekur të mbushë boshllëqet, duke përgatitur bletarë nga radhët e refugjatëve afrikanë, të cilët më pas i dërgon tek prodhues vendas që kanë nevojë për punëtorë. Ricci Shryock njofton për Zërin e Amerikës nga Alessandria e Italisë

I vetmi kujtim që ka Abdul Adan nga bletët, është nga koha kur ishte fëmijë në Senegal dhe një bletë e pickoi në gojë kur po hante mjaltë të freskët. Tani ai e ka harruar frikën e fëmijërisë:
“Ka një javë që kur kemi vënë mbretëreshën e re dhe po pres të shoh nëse mbretëresha është ende në koshere,” thotë Abduli.
Abduli bën pjesë në një program në Italinë veriore, të quajtur “Bleta është Puna Ime”, ku imigrantët kualifikohen si bletërritës dhe punonjës bujqësie.

Që nga hapja e tij në 2014, programi ka përgatitur 107 vetë, pjesa më e madhe nga Afrika perëndimore.

“Shtretërit janë gjithmonë plot dhe sa herë që dikush përfundon programin, brenda dy ditësh vjen një kursant i ri,” thotë Mara Alacqua që punon me programin.
Programi u krijua për një arsye të thjeshtë: bletërritësit kishin nevojë për punëtorë. Sipas organizatës bamirëse Oxfam, Italia do të ketë nevojë për 1.6 milionë punëtorë gjatë dekadës së ardhshme për të ushqyer programet e ndihmës sociale dhe pensionet.

“Nga njëra anë ekziston një problem i madh nga papunësia e lartë, nga ana tjetër nuk mund të gjesh punëtorë për bujqësinë. Në realitet bujqësia italiane varet tek krahu i punës nga jashtë,” thotë bletërritësi Francesco Panella.
Abduli është bërë një nga kursantët më të suksesshëm dhe tani ai mëson edhe të tjerët. Ai mbërriti në Itali në 2015 me anije, pasi ishte torturuar e mbajtur si skllav pune në Libi.

“Kam kaluar etapa që janë më të vështira se puna me bletët. Vetëm t’ju tregoj si na trajtonin libianët që na mbajtën për punë: na jepnin vetëm një copë bukë në ditë dhe duhet të punonim fort,” tregon Abduli.

Kjo nuk do të thotë se jeta në Itali është e lehtë:

“Më kap vetmia nganjëherë kur mendoj për familjen. Më bën të mendoj për t’u kthyer. Por këtu erdha si imigrant, më duhen para. Ndoshta një ditë do të kthehem, ose ndoshta sjell familjen këtu. Askush nuk e di çfarë na pret në të ardhmen”.
Për momentin, me përfundimin e verës që sjell edhe fundin e sezonit për mbledhjen e mjaltit, gjithë vëmendja është e përqëndruar tek puna. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>