Debati për universitetet për akreditimin dhe vlerësimin e tyre është një debat që tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen dhe dalja e një raport të agjencisë britanike të akreditimeve ka ndezur akoma më shumë diskutimin mbi këtë temë.
Në raportin e kësaj agjencise, universiteti publik duket sikur e ka humbur monopolin e cilësisë.
Për të diskutuar mbi këtë raport dhe për gjendjen reale në universitetin publik dhe privat në vend, këtë të hënë në Top Story ishin të ftuar anëtari i Komisionit të Arsimit, Luçiano Boçi, drejtori i Kurrikulave në UT, Çlirim Duro, sipërmarrësi në arsimin privat, Henri Çili dhe pedagogu, Agron Gjekmarkaj.
Drejtori i Kurrikulave në UT tha se ky institucion ka marrë një draf-raport nga agjencia britanike e akreditimit dhe ky raport është kundërshtuar në disa pika.
“Akreditimi është një proces që Universiteti i Tiranës e ka mbështetur dhe në fund kemi një draft-raport të ekspertëve shqiptarë dhe britanikë, që na solli 19 problematika. Ne bëmë kundërshtimet tona dhe këto kundërshti i paraqitëm tek grupi i ekspertëve”, tha ai.
Sipas Duros, UT plotëson të gjitha standardet dhe argumentoi mungesën e strategjisë së këtij institucioni, një vërejtje e bërë edhe në raportin e akreditimit me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të arsimit të lartë.
“Kemi strategjinëe e vjetër të zhvillimit, por ligji i ri na imponon një strategji të re. Strategjia e re, për shkak të ligjit kërkon që ajo të shkojë nëpër universitetet. Ne kemi strategjinë e vjetër dhe jemi duke hartuar strategjinë e re”, deklaroi ai.
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi hodhi mëdyshje saktësinë e vlerësimit për disa universitete publike dhe fajësoi për këtë reformën në arsimin e lartë dhe përplasjen për anëtarin në Bordin e Administrimit të Universitetit.
“Ligji i ri kërkon që strategjia të kalojë njëherë tek Bordi i Administrimit dhe më pas të kalojë në Senat dhe universitete. Situata dhe konfliktualiteti me Ministrinë e Arsimit për kontrollin e bordit solli këto pasoja. Universitetet publike janë akredituar mes një tronditjeje ligjore. Nuk është i saktë akreditimi për të gjitha universitetet publike. Reforma nuk ka dhënë asnjë efekt pozitiv në organizimin e universiteteve publike. Reforma e fundit ka sjellë të gjitha pasojat dhe mosradorddimin e atyre standardeve që kërkohen në universitetet duhet të riorganizohen sipas ligjit të ri me një afat 2-vjeçar, që nuk ka përfunduar ende”, tha ai.
Pedagogu Agron Gjekmarkaj tha se raporti i britanikëve konfirmon një sërë problematikash serioze të Universitetit të Tiranës, por shtoi se ky universitet vijon të jetë ende më i miri në vend.
“Disa probleme janë neglizhuar tek institucioni kryesor i arsimit në vend, por Universiteti i Tiranës nuk ka simuluar strategji false dhe nuk ka trajnuar studentët sesi të përgjigjen para atyre që do të bëjnë akreditimin”, tha ai.
Gjekmarkaj hodhi dyshimin se goditja ndaj këtij universiteti lidhet edhe me reformën në arsimin e lartë dhe kundërshtimin, sipas tij, të kësaj reforme nga ky institucion.
“Universiteti i Tiranës i ka bërë rezistencën më të madhe ligjit për reformën në arsim dhe duket sikur ky rezultat kërkon që t’i japë të drejtë dikujt politikisht. Universiteti i Tiranës po goditet në imazh për të dalë përballë opinionit për të thënë që ne kishim të drejtë kur kërkuam këtë ligj të arsimit të lartë”, tha ai.
Henri Çili tha se raporti i britanikëve është përfundimtar dhe risjell në vëmendje nevojën për një treg të lirë arsimor. Ai tha se universiteti shtetëror duhet të reformohet.
“Në Shqipëri ka një hipokrezi për universitetin shtetëror, që për mendimin tim duhet të reformohet. Por, ne duhet të kemi konkurencë sipas parimit të tregut. Kështu nuk shkojmë përpara. Shqipëria bëri hapjen e tregut për televizionet, për bankat, për tregun e lirë”, tha ai.
Çili deklaroi se institucionet private të arsimit të lartë janë të gatshme për këtë.
“Universitetet private janë të monitoruara, të ligjshme, kanë kapacitetet dhe janë të shkëlqyera. Duhet t’i japim fund një sistemi hipokrit në arsim. Duhet të dalim të barabartë në treg”, deklaroi ai.
/ Top Channel