Maqedonia dhe Greqia në pikën zero në kontestin rreth emrit

greqi-maqedoniZgjidhja e kontestit më të madh që ka Maqedonisë me shtetet fqinje, përkatësisht atij të çështjes së emrit që kontestohet nga Greqia, mbetet vetëm në deklarata politike, përderisa nuk ka ndonjë propozim konkret nga palët.

Ndërmjetësuesi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Mathhew Nimetz ka paralajmëruar se nga fundi i këtij viti apo në fillim të vitit 2018 mund të ketë lëvizje nga pozicionet e të dyja palëve. Ky paralajmërim i tij, ishte përcjellë më pas nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev me deklaratën se nga mesi i vitit të ardhshëm mund të ketë ndonjë propozim konkret.

Por, shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias ka thënë se kontesti nuk ka të bëjë vetëm me emrin, por edhe më çështjen e identitetin dhe të historisë, duke e kthyer kështu procesin në pikën zero.

Duke komentuar deklarimet e këtilla optimiste të palës maqedonase, por edhe ato të palës greke, njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se ky kontest vështirë se mund të ketë një zgjidhje të shpejtë.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Denko Malevski, thotë për Radion Evropa e Lirë se lëvizje mund të ketë, por vetëm pas një muaji apo pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, periudhë kjo që sipas tij është e ndjeshme për t’u hapur debati për çështjen e emrit.

“Duket të kalojnë zgjedhjet lokale që më lehtë të mund të hapet një debat për atë se çfarë do të ndodhë apo se çfarë duhet të bëjë Maqedonia për të arritur qëllimin e saj, anëtarësimin në NATO dhe BE. Qeveria nuk duhet të pres se çfarë do të bëjë Nimetz, por edhe ajo duhet të punojë në arritjen e kompromisit, pasi ka kompromise të mira dhe të këqija dhe ajo duhet të angazhohet që të arrijë më të mirën e mundshme”, thotë Maleski.

Çështja e emrit po përdorën edhe nga partitë politikë në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale më 15 tetor me akuza mes partive se cila prej tyre ka bërë më shumë për interesat kombëtare. Kryeministri Zoran Zaev në vazhdimësi shpreh gatishmërinë për mbylljen e të gjitha çështjeve të hapura me fqinjët ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare akuzon për marrëveshje që dëmtojnë interesin kombëtar maqedon.

Çështja e emrit me Greqinë daton që nga pavarësia e Maqedonisë 27 vjet më parë. Athina kërkon nga Shkupi të ndryshojë emrin e saj dhe maqedonasit të mos pretendojnë se janë pasardhës të maqedonasve antik. Ky kontest ka bërë që Greqia ta bllokojë tash e disa vjet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>