Pushteti dhe opozita vazhdojnë me polemika e akuza në Kuvend

Kuvendi iksMe disa javë vonesë, Kuvendi i Kosovës ka vazhduar seancën e jashtëzakonshme me të vetmen pikë në rendin e ditës, përkatësisht debatin e thirrur nga opozita rreth parimeve programore të Qeverisë për vitin 2017 -2020.

Deputetët opozitarë, iniciues të këtij debati, kanë kritikuar Qeverinë dhe programin e saj, duke vlerësuar se ai nuk është premtues.

Shefi i grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se programi i Qeverisë Haradinaj është i njëjtë si ai i qeverive të kaluara që bazohet mbi premtime të parealizueshme.

Këto programe qeverisëse nuk janë asgjë më shumë sesa përmbledhje frazash formale të cilat e kanë për detyrë ta përmbushin veç një perceptim, perceptimin që Qeveria ka program, që Qeveria ka koncept. Prandaj unë them se më mirë është që Qeverinë Haradinaj të analizojë prej kur është themeluar e deri më sot, çfarë shembulli dha për 3 javë ditë. Më së pari se si u krijua na dha shembullin më të keq të një Qeverie të ndërtuar mbi pazare të ulëta“, tha Konjufca.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka shtuar Konjufca, po i ikë përgjegjësisë dhe llogaridhënies.

Kurse, Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se me zgjedhjen e Qeverisë Haradinaj, Kosova nuk ka evituar krizën.

Është thelluar kriza. Është e pafalshme që ende kemi 1600 të pagjetur dhe nuk mund të hapet kjo temë me ketë përbërjes të Qeverisë. Ne si LDK do të jemi gardianë të mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, për të ndaluar këtë Qeveri që të çojë vendin prapa ashtu siç ka filluar me shkelje të vazhdueshme duke shkarkuar borde me hu në krahë“, tha Hoti.

Duke vlerësuar se deputetët e Kuvendit nuk po i përmbahen pikës së rendit të ditës, kryeministri Ramush Haradinaj, ka marrë fjalën duke kërkuar korrektësi dhe debat konstruktiv.

Ju kam dërguar programin qeverisëse brenda javës. I mirë e i keq, e keni programin. Kurdo që jeni të gatshëm të diskutojmë për programin qeverisës që e keni marrë, do të vij dhe do t’ju respektoj. Ju respektoj edhe për kërkesën për seancën e nesërme për raportim e pyetje për interpelancë. Sa i përket kësaj teme, mendoj se jeni duke bërë hajgare dhe vazhdoni me hajgare“, tha Haradinaj.

Ai po ashtu thase opozita nuk ishte e interesuar për debat në ditën kur ishte votuar Qeveria, prandaj, sipas tij, akuzat që po i bënë tani opozita janë të padrejta.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar edhe ndaj kritikës së shprehur nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotit, i cili tha se Haradinaj ka një marrëveshje sekrete me Listën Serbe.

E vetmja marrëveshje që ka Ramush Haradinaj me Listën Serbe është se ne këto përgjegjësi i marrim dhe punojmë në bazë të përgjegjësive në vend dhe betimi është dhënë me Kushtetutën e vendit“, tha Haradinaj.

Duke e vlerësuar debatin si jokonstruktiv, Haradinaj bashkë me kabinetin e tij qeveritar lëshuan sallën duke u dhënë një mesazh deputetëve me fjalët- ‘rrini në punë’.

Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që të jetë më serioz në raport me opozitën.

Ndërkaq, Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se partitë politike në opozitë nuk e kanë lexuar fare programin e Qeverisë dhe po bëjnë kritika pa bazë.

E keni programin qeveritar. Urdhëroni lexojeni sepse njëri nga folësit tha se nuk duam ta lexojmë programin e kësaj Qeverie. E çuditshme pse duan të kritikojnë“, tha Isufi.

Debati në Kuvendit e Kosovës ka vazhduar edhe pa praninë e kabinetit qeveritar, kur janë dëgjuar akuza e kundër akuza.

Madje, deputetet e partive politike opozitare, sidomos ata të LDK-së, kanë kërcënuar se nuk do të votojnë, Instrumentin për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA).

IPA është një instrument financiar i shfrytëzuar nga BE-ja që ka për synim të ndihmojë vendet që janë në procesin e anëtarësimit.

Deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti tha se kjo parti politike nuk do ta miraton dhe nuk do të merr pjesë në ratifikimin e marrëveshjeve, për të cilat kërkohen edhe votat e opozitës.

Ne nuk do ta votojmë ratifikimin e marrëveshjes IPA dhe asnjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare që kërkon dy të tretat e opozitë“, tha Hoti.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se është hipokrizi e opozitës që kërkesat e tyre t’i lidh me dëme për vendin. Ai theksoi se LDK-ja po i shantazhin qytetarët duke kushtëzuar me votë për projektet strategjike, si IPA.

Këta sot na thanë se do të votojnë edhe kundër programit IPA, marrëveshje me BE-në, për t’i refuzuar 71. 5 milion euro që janë të dedikuara për qytetaret e Kosovës, sepse ato nuk janë mjetet të Qeverisë e as Kuvendit. Dhe, ne sot e pamë një shantazh publik, një kërcenim për krejt qytetaret e vendit tonë nga LDK-ja, që thanë se nuk ju votojmë nëse ju nuk i përmbaheni kushteve që ua vendosim ne“, tha Krasniqi.

Kurse deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku iu ka bërë thirrje deputetëve që të bëhen bashkë dhe ta kryejnë, siç tha ai një veprim patriotik, për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj.

Obligimi patriotik i yni është të ndalim këtë rrugëtim të kësaj ‘Frankenshtain’ qeverisje”, ka thënë Abdixhiku duke iu drejtuar deputetëve të pozitës se mandati i tyre aktual në Kuvend është akti i fundit në politikë.

Kjo seancë ishte thirrur nga opozita një ditë pas votimit të Qeverisë së Kosovës, më 9 shtator, por ishte ndërprerë pasi që partitë në pushtet dhe kabineti qeveritar nuk pranuan të marrin pjesë në të. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>