Diplomatë amerikanë, zyrtarë shqiptarë dhe përfaqësues ushtarakë nga të dy vendet u takuan sot në bazën e ushtrisë shqiptare të Zall Herrit.
Aty u morën në dorëzim disa pajisje moderne, dhuratë nga SHBA dhe u rivlerësua bashkëpunimi dypalësh në fushën e mbrojtjes.
Ushtria amerikane i dorëzoi sot kolegëve shqiptarë një seri automjetesh të blinduara, pushkë të sofistikuara sipas standardit të NATO-s, një robot amerikan për shkatërrim bombash dhe kostume mbrojtëse prej tyre.
Këto janë janë vetëm një pjesë e vogël të armëve dhe pajisjeve moderne që po vijnë tek Forcat e Armatosura shqiptare.
Por kryesorja është përgatitja e ushtarakëve shqiptarë në akademitë më të mira të SHBA-ve.
Midis tyre ishte edhe Togeri i Rangut të Parë, Saimir Cuka, shqiptari i dytë i diplomuar nga Akademia Ushtarake e SHBA-së në Ëest Point, ku janë diplomuar të gjithë gjeneralët më të famshëm të Ushtrisë Amerikane.
Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Donald Lu, tha se për herë të parë, që nga viti 2009 kur u anëtarësua në NATO, Shqipëria po rrit ndjeshëm buxhetin e mbrojtjes, po investon në teknologji dhe në përgatitjen profesionale të njerëzve.
“Toger i Rangut të Parë Cuka përfundoi gjithashtu kursin e nivelit të lartë të Forcave Speciale të SHBA-së dhe sot është një Udhëheqës i Ekipeve të Forcave Speciale shqiptare me përvojë luftarake në Afganistan. Ai përfaqëson të ardhmen e Forcave të Armatosura shqiptare” – tha ai.
Ambasadori Lu theksoi se veçanërisht me SHBA Shqipëria po përgatit drejtuesit e saj ushtarakë në nivelet e NATO-s. Gjeneral Kollçaku-shefi I shtabit, Komandanti i Forcave Tokësore Gjeneral Cahani dhe Komandanti i Forcës Ajrore, Gjeneral Avdiaj, janë diplomuar të gjithë me rezultatet më të larta në Kolegjet e Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara.
Ai bëri të ditur se vitin e ardhshëm SHBA do të rrisin më tej buxhetin e trajnimit ushtarak për Shqipërinë si pjesë e angazhimit të saj ndaj NATO-s.
Aleatë në radhët e NATO-s 8 vitet e fundit, si edhe më parë qysh prej rrëzimit të regjimit komunist, SHBA dhe Shqipëria kanë ngritur një bashkëpunim të ngushtë në fushën e mbrojtjees dhe të sigurisë.
Ato bashkëpunojnë me trupa në terren në një seri konkrete misionesh paqeruajtëse, si dhe po i zgjerojnë marrëdhëniet ushtarake me investime në njerëz dhe teknologji, duke rritur mbështetjen për Forcat e Armatosura shqiptare. (voa)