Maqedoni: Forcat politike, dakord për dialog

Ivo VajgelRaportuesi i Parlamentit për Maqedoninë, Ivo Vajgël duket se ka arritur t’i bindë të gjitha palët politike për angazhimin në dialog brenda institucionit Zhan Mone të Parlamentit Evropian që do të krijonte hapësirë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në Shkup. Takimi, megjithatë do të mbahej në nivel të deputetve, përkatësisht të grupeve parlamentare të partive kryesore.

Në takimin e pritshëm që planifikohet të mbahet në muajin janar të vitit të ardhshëm në shtëpinë e themeluesit të BE-së do të ketë debat të hapur me ekspertë të njohur evropianë të çështjeve ligjore.

Atë që zoti Vajgël ka dëgjuar prej të gjitha partive politike, është se ekziston vullneti dhe disponimi i të gjitha partive që ta vendosin interesin e shtetit para së gjithash dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv për të mirën e vendit.

Por, raportuesi Vajgël u shpreh se dialogu “Zhan Mone” nuk zëvendëson dhe nuk paraqet vazhdimësi të marrëveshjes së Përzhinës dhe se synimi i Parlamentit Evropian nuk është bërja e amandamenteve për reformat e propozuara nga eksperti evropian Rajnhard Pribe dhe atyre të pranuara tashmë nga parlamenti i Maqedonisë.

“Ne nuk do të zgjidhim asnjë problem. Do të diskutojmë në mënyrë demokratike për ato; Problemet duhet të zgjidhen në këtë institucion të lartë të Maqedonisë, në parlament,” tha zoti Vajgël.

“Ne do të donim ta shikojmë të gjithë rajonin e Evropës juglindore të integruar brenda Bashkimit Evropian”, tha raportuesi për Maqedoninë, duke theksuar se çdo vend veç e veç do të vlerësohet mbi bazat e meritave të veta. Ai vuri në dukje reformat ambicioze të Maqedonisë siç tha, një kriterium kyç ky për mundësinë e hapjes së bisedimeve për anëtarësim.

Opozita maqedonase, e cila doli si humbëse e thellë në zgjedhjet e fundit lokale, thotë se nuk i njeh ato për shkak të trysnive e shantazhit, sipas saj, ndaj votuesve dhe blerjes së votës.

Ndërkohë, autoritetet qeveritare presin që në fillim të vitit të marrin një datë për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Maqedonia ka qenë ndër vendet e para të rajonit që mori statusin ‘vend kandidat për anëtarësim në BE’, por problemet dhe krizat e brendshme mbase dhe orientimi jo shumë i qartë i pushtetit të kaluar kanë zvarritur me vite synimet integruese të saj. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>